Koncesionet patën ‘efekte pozitive’ vetëm për hajdutët e fondeve publike

0
152

Nga Erion Dasho

Një nga “argumentet” më të fuqishëm të Boratit dhe Beqes së vet për të justifikuar shpenzimet stratosferike me koncesionin e sterilizimit ka qënë se ky koncesion uli ditëqëndrimet në spital duke i kursyer buxhetit të shtetit miliona euro.

Edhe sikur ulja e ditëqëndrimit në spital të ishte e vërtetë, unë dhe kolegë të tjerë që merremi prej dhjetëra vitesh me studime të dhënash kemi ngritur pikëpyetje të shumta mbi këtë deklaratë. Shkenca e të dhënave ka një aksiomë universale, “lidhja (korrelacioni në anglisht) nuk është provë e shkakësisë”.

Por sipas të dhënave të fundit, as edhe lidhje nuk ka midis rënies së ditëqëndrimit në spital dhe koncesionit të sterilizimit.

Përkundrazi!

Le të shohim statistikat e publikuara nga INSTAT-i.

Në vitin 1999, ditëqëndrimi mesatar në spitale ka qënë 7 ditë. Kjo shifër ka ardhur në rënie të vazhdueshme, derisa në vitin 2016 kur nisi të aplikohej projekti famëkeq i sterilizimit, arriti në 5.3 ditë. Ndërkohë që nga viti 2016 deri në vitin 2021, rënia e ditëqëndrimit mesatar ka qënë nga 5.3 ditë në 5.1 ditë.

Një analizë e thjeshtë tregon se jo vetëm nuk ka patur një rënie më të shpejtë të ditëqëndrimit mesatar nga koha kur nisi zbatimi i projektit të sterilizimit, por përkundrazi, rënia në këtë periudhë është ngadalësuar me gati 3 herë!!!

Nëse do pranohet logjika e boratëve dhe beqeve se koncesioni i sterilizimit ka lidhje me ditëqëndrimin në spital, kjo lidhje është në fakt negative, pra koncesioni i sterilizimit e ka përkeqësuar gjendjen duke ngadalësuar rënien e ditëqëndrimit mesatar.
***
Borati dhe Beqja i vet mund të vazhdojnë show-n me klema të ndryshkura e gërshërë me një krah, mund të vazhdojnë edhe trushplarjen e shqiptarëve që akoma besojnë përrallat e tyre, por shifrat janë kokëforta. Ato nuk mund të manipulohen me studime të paguara dhe çdo gënjeshtër në fund i ka këmbët të shkurtra.

Koncesionet kanë patur “efekte pozitive” vetëm për hajdutët e fondeve publike, qofshin këta “dorasit”, qofshin këta padronët, mbështetësit dhe frymëzuesit e tyre politikë.
SPAK-u i ka në tryezë të gjithë të dhënat për të vendosur para përgjegjësisë Boratin, Beqen e vet dhe të gjithë boratët e beqet që kanë futur duart në xhepat e shqiptarëve. Çdo përpjekje për të lehtësuar barrën e Beqes do të jetë bumerang jo vetëm për Boratin, por edhe për SPAK-un.

Të presim dhe të shohim…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here