Në jo pak raste kemi dëgjuar se qumështi, produkti që konsumojmë thuajse çdo ditë, nuk është i kontrolluar dhe i shëndetshëm. Ndaj për të faktuar dhe provuar këtë gjë, Piranjat vendosi të analizonte disa marka shqiptare, të cilat tregtojnë qumësht.
Në tre periudha të ndryshme, konkretisht në qershor, tetor dhe nëntor 2023, Piranjat blenë në supermarkete kampione të qumështit nga 4 kompani lider në treg Lufra, Mireli, Erzeni, dhe Zepa Natyral.
Më pas brenda ditës u dërguan në Salerno të Italisë, në laboratorin ‘Neotes’, atje ku kampionët u analizuan nga doktori Ernesto Saldovieri dhe grupi i tij i ekspertëve.
‘Neotes’ doli në përfundimin se qumështi që tregtojnë shumica e kompanive, që iu nënshtruan analizës, ka përbërje të lartë të ujit.
‘Në realitet, në 80% të kampionëve të analizuar, pra në shumicën e këtyre kampionëve, që ne kemi analizuar, kemi parë një vlerë jashtë norme. Kjo vlerë quhet ‘Indicecreoscopico’ dhe tregon një ndryshim për efekt mashtrimi, pra duket se përbërja e qumështit është ndryshuar duke u përzier me ujë’, tregoi Ernesto Saldovieri.
Sipas ekspertit italian ky mashtrim nuk është i dëmshëm për shëndetin, por duke menduar se me këtë qumësht ushqehen fëmijët, kjo do të thotë se ata po privohen nga shumë vlera ushqyese.
‘Nga katër kampionë të qumështit, plot tre janë jashtë normave, ndërsa vetëm njëra, Lufra, ka rezultuar brenda normës, në të tre herët që kemi analizuar. Të gjitha të tjerat, si Erzeni, Mireli, Zepa Natyral, janë le të themi jo në normë’, zbuloi eksperti.
E gjithë kjo duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, që ka si detyrë të kryejë çdo lloj kontrolli që lidhet me ushqimin.