25 vjet nga sulmet e NATO-s në Beograd/ Gjenerali që udhëhoqi operacionin: Shkëputja e Kosovës u diktua nga…

25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, gjenerali Wesley Clark thotë se është krenar për operacionin që ai udhëhoqi dhe se rrjedha e ngjarjeve që kulmoi me pavarësinë e Kosovës, u diktua nga brutaliteti i forcave serbe.

 

Gjenerali Clark thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës me rastin e këtij përvjetori, se sot është e padrejtë që ka më shumë trysni ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë, por thekson se dy vendet duhet të gjejnë udhën për të bashkëjetuar. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, ai thotë se shumë nga qëndrimet e Perëndimit janë të përcaktuara nga ajo që po ndodh mijëra kilometra larg, në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

Intervista:

 

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, ka kaluar një çerek shekulli që kur NATO-ja ndërhyri në Kosovë për të ndaluar spatrimin etnik. Ju ishit komandant i lartë i NATO-s në atë kohë, (drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999), cilat janë reflektimet tuaja tani, pas 25 vjetësh?

Gjeneral Wesley Clark: Jam krenar për veprimet që ndërmori NATO-ja në atë kohë për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës. NATO veproi duke përdorur minimumin e forcës, duke marrë çdo masë parandaluese për të shmangur lëndimin e civilëve të pafajshëm dhe megjithatë e përmbushi synimin për t’i dhënë fund spastrimit etnik.

 

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, në atë kohë pati shumë debat në rang ndërkombëtar, pasi ndërhyrjet humanitare nuk ishin diçka që ndodhte shpesh. Në një vështrim retrospektiv, si e shihni sot këtë lloj ndërhyrjeje në përgjithësi, si çështje e marrëdhënieve ndërkombëtare?

Gjeneral Wesley Clark: Do të thosha se ishte një ndërhyrje e nevojshme e cila u krye në mënyrë rigoroze (posaçërisht) për qëllime humanitare dhe e përmbushi misionin e saj.

 

Zëri i Amerikës: Kur e shihni sot Kosovën, a është ashtu siç e kishit imagjinuar para 25 vjetësh se do të ishte?

 

Gjeneral Wesley Clark: Ajo që dinim në fillim të fushatës, ishte se do të angazhonim forcat e NATO-s. Në atë kohë nuk e dinim që serbët do të largoheshin plotësisht. Nuk ishte kurrë synimi ynë që të ndanim Kosovën, në asnjë lloj mënyre, apo të ndikonim që ajo të bëhej e pavarur.

 

Por veprimet e ushtrisë dhe policisë serbe gjatë fushatës, vrasja e pamëshirshme e civilëve, përpjekjet për të shkatërruar pronat e shqiptarëve të Kosovës, sjellja brutale e fqinjit kundër fqinjit në këtë fushatë, e bëri realisht të pamundur që serbët të qëndronin.

 

Prandaj NATO-ja e bëri si një nga prej objektivave të saj, që forcat serbe duhet të largoheshin. Më pas Kosova u mbikqyr nga ndërkombëtarët, nën drejtimin e OKB-së dhe pastaj vendosi se duhet të ishte e pavarur.

 

Por të them të vërtetën, gjendja në rajon vazhdon të jetë e papranueshme, sepse Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, vazhdon të ndërhyjë brenda saj dhe trysnia politike ndaj Kosovës, si një vend më i vogël, është shumë e rëndë dhe e vështirë.

 

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, të flasim mbi situatën aktuale të cilës juve iu referuat dhe veçanërisht marrëdhënies mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Kosova ka qenë një prej vendeve më pro-amerikane dhe kjo në masë të madhe edhe falë ndërhyrjes që juve drejtuat atëherë. Por tani, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, ose së paku mes dy qeverive, janë në pikën më të ulët. Cili është mendimi juaj për këtë? Pse kanë arritur në këtë moment dhe çfarë mund të bëhet për të tejkaluar këtë situatë?

 

Gjeneral Wesley Clark: Unë i shoh gjërat nga jashtë, nuk jam në brendësi të tyre, ndaj është pak e vështirë të komentoj mbi këtë. Por është e rëndësishme të kuptohet se dy shtete që janë krah më krah, Kosova dhe Serbia, nuk mund t’i çojnë përpara marrëdhëniet nëse vazhdojnë të përfshihen në konflikt mes tyre. Serbia i ka shtrirë krahët e saj të gjatë brenda Kosovës për një kohë të gjatë, në veri të lumit Ibër. Edhe kur isha komandant i NATO-s pati një fushatë spastrimi etnik nga serbët kundër shqiptarëve në veri të lumit Ibër. Ishte e gabuar. Por vazhdoi. Duket qartë që ndërhyrja serbe vazhdon ende.

 

 

 

 

 

 

 

 

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *