Kryebashkiaku në detyrë i Himarës Jorgo Goro do të do të dalë para GJKKO-së në fillim të javës për tu njohur me akuzën dhe masën e sigurisë.
Ndaj tij rëndon akuza për tjetërsimin me dokumente false të 10592 metër katrorë tokë në bregdet.
Me arrestimin mbrëmjen e së shtunës bashkia jugore mbetet pa një kryetar, pasi edhe Fredi Beleri i cili fitoi zgjedhjet në 14 maj është dënuar me dy vite burgim për blerje të votave.
Tashmë ai pritet të ankimojë procesin në gjykatën e Apelit, vendimi i të cilit do të vendosë nëse do të zhvillohen zgjedhje të reja.
Në këto kushte drejtimi mbetet në ngërç pasi edhe pse i arrestuar Goro vijon të jetë legjitim në detyrë, deri në një vendim të mundshëm për shkarkimin.
Sipas legjislacionit shqiptar një nga format për të zgjidhur ngërçin është që këshilli bashkiak të mblidhet për të mandatuar një nga dy nënkryetarët për të drejtuar bashkinë.
Në këtë rast mazhoranca ka një votë më shumë se opozita.
Ndërsa një tjetër moment është e drejta që mund të ushtrojë prefekti për të zgjedhur drejtuesin.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Omonia që e quan të qëllimshëm emërimin e Vangjel Tavos si prefekt në 13 mars.
Ndërsa në deklaratë kërkohet që e drejta e kryesimit të bashkisë ti jepet një përfaqësuesi të opozitës, sipas tyre në respekt të verdiktit të zgjedhësve për këtë detyrë.