Kryetari në detyrë i Himarës, Jorgo Goro ka mbërritur në GJKKO ku do të njihet sot me masën e sigurisë.
Goro u arrestua më 23 mars me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për tjetërsimin e pronave në Dhërmi.
Goro akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me pronën ku Artan Gaci, ish-deputeti socialist dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka po ndërton një investim strategjik në miliona euro.
SPAK e akuzon Goron se ka shpërdoruar detyrën në dy episode, në të parin duke shmangur Këshillin e Qarkut, për sipërfaqen prej 5512 metra katrorë tokë dhe mbi bazën e dokumentit të tij toka u regjistrua në kadastër në kundërshtim me ligjin dhe më pas iu shit nga Stavri Mëhilli ish-deputetit Gaçi me një vlerë relativisht të ulët krahasimisht me tregun.
Në episodin e dytë një pronë bujqësore prej 5080 m2, Jorgo Goro në bashkëpunim me vartësin e tij, Jerasimo Bashi, e ka kthyer pronë shtet, ku më pas janë kryer transaksione. Në kufi me këtë sipërfaqe toke, sipërmarrësi privat, Artan Gaçi, ish- deputet i PS- së, i kishte blerë tokën me dokumente të falsifikuara Stavri Mëhillit. Sipërfaqja e tokës më pas është bashkuar në një të vetme dhe pas kësaj shoqëria tregtare e drejtuar prej Artan Gaçit merr leje ndërtimi për një kompleks turistik, i cili do të ndërtohet në të dyja sipërfaqet e tokës, në total (10.592 m2).






