Mandati i Xhaçkës/ Njolla e turpit të Gjykatës Kushtetuese

0
95

Sjellja e parlamentit me mandatin e ish ministres së jashtme Olta Xhaçka, e dyshuar për konflikt interesi, po tregon edhe njëherë se deri në ç’pikë e ka përdhunuar drejtësinë pushteti absolut i Edi Ramës. Shefja e kuvendit, Lindita Nikolla, po refuzon me përbuzje të zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që e detyron atë ti dërgojë për shqyrtim kërkesën e opozitës për djegjen e mandatit të deputetit, për ish ministren “investitore strategjike”.
Xhaçka akuzohet se ka shkelur Kushtetutën, duke përfituar si deputete të mira publike, që kur bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, fitoi të drejtën e përdorimit të bregdetit për 30 vite falë një vendimi qeverie.

Natyrisht, rasti është kthjellësisht i pastër dhe për precedentë të tillë Kushtetuesja i ka hequr më parë mandatin e deputetit, Ilir Beqes dhe Koço Kokëdhimës. Pikërisht për këtë arsye Lindita Nikolla thjeshtë e mban në sirtar prej më tepër se një viti kërkesën dhe nuk e çon atë për gjykim. Por, mëkati i kësaj fshehje prej ligjit nga ana e rilindasve është shumë më e vogël se ndihma që kauzës së tyre i ka dhënë një institucion “i pavarur” si Gjykata Kushtetuese.
Në fillim të vitit të shkuar kjo gjykatë u përball me me dy kërkesa të opozitës për të këtë çështje. Njërën të firmosur nga 28 deputetë berishistë, për shpalljen anti-kushtetues të refuzimit të Parlamentit dhe mbi të gjitha shqyrtimin thelbësor të çështjes, nëse Olta Xhaçka mund ta mbante edhe më tej mandatin e deputetit.

Dhe një kërkesë tjetër, që vinte nga opozita e vulës, në të cilën atë kohë bënin endje pjesë edhe deputetët e grupimit Bardhi. Në këtë kërkesë kërkohej vetëm zbatimi i procedurës, ose thënë ndryshe detyrimi i Kuvendit për ti përcjellë kësaj gjykate atë që këmbëngulte minoranca.

Me vullnetin për ti shërbyer pushtetit, Kushtetuesja u kap pas kësaj manovre të “vulës” dhe refuzoi ta shqyrtonte në themel çështjen e mandatit të Xhaçkës. Pesë gjykatës të saj, ashtu siç kanë bërë rëndom këto kohë, Vitore Tusha (tashmë e larguar), Ilir Toska, Gent Ibrahimi, Sandër Beci e Marjana Semimi, vendosën të fitonin kohë duke ia kaluar topin sërish parlamentit. Ata morën një vendim skandaloz për ti kufizuar kompetencat vetes dhe për ti’a zgjeruar ato shumicës parlamentare, duke përdorur si alibi për këtë kërkesën e 14 deputetëve që mbështesin dyshen Alibeaj-Basha

Sot nga ky vendim, që e detyronte Lindita Nikollën ta çonte çështjen në gjykim, ka kaluar më shumë se një vit, por kryeparlamentarja e mban atë ende në sirtar. Kushtetuesja i la të gjithë hapsirën e nevojshme pushtetit të mbronte deputeten e tij, mandati i së cilës përfundon normalisht në verën e ardhshme.

Në një përpjekje për të shplarë qëndrimin e një viti më parë, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e ka denoncuar së fundi “mbrojtjen politike” që po i ofrohet Xhaçkës.
Në një letër drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla ai kërkon zbatimin e këtij vendimi dhe thirrjen e Konferencës së Kryetarëve për të futur në rend dite të seancës më të afërt urdhërin për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të mocionit për interpretimin e mandatit.

“Çdo vonesë e mëtejshme e kësaj çështje do të ishte dhunimi më flagrant që Kuvendi i ka bërë Kushtetutës në 33 vjet…,” shkruan Bardhi në këtë letër të bërë publike të hënën. Sipas tij, Kuvend i duke mos zbatuar këtë vendim po shkel të drejtën e pakicës parlamentare, parimet bazë të shtetit ligjor dhe besimin publik tek Gjykata Kushtetuese.“Ky rast merr përmasat e një mbrojtjeje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK, nga ku ka rezultuar se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumenta tërësisht të falsifikuara…”- vijon më tej në letrën e tij Bardhi, duke iu referuar arrestimit të kryetarit në detyrë të bashkisë Himarë, Jorgo Goro, i akuzuar si i përfshirë edhe në tjetërsimin e pronës ku po ndërton bashkëshorti i Xhaçkës.

Lindita Nikolla, ka përdorur një sërë alibish, që nga axhenda e ngjeshur e deri tek gjendja kaotike e parlamentit për faj të opozitës, për të mos e shqyruar këtë çështje. Por sado imoral të jetë veprimi i saj, ai është ku e ku më i pranueshëm se kolaboracionizmi i gjykatësve kushtetues, të cilët e kishin këtë dosje në tryezë në shkurtin e 2023, por vendosën të futeshin në pirueta për të fituar kohë dhe dhe për të bërë atë që dinë të bëjnë në perfeksion: mosdhënien e drejtësisë.

©Lapsi.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here