Në burg të varfrit, të pasurit lirohen! VIP-at dhe KAPO-t në “suita”, të varfrit në qeli me lagështirë

0
110

Fiks Fare bisedoi edhe me Drejtoreshën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, e cila tha se paraburgimi i tepruar është një shqetësim i sistemit peniteciar.

Madje, në Shqipëri duhet të aplikohet edhe garancia pasurore. “Garancia pasurore, si masë sigurie, përdoret shumë pak në Shqipëri, në përqindje të ulëta. E para arresti me burg, detyrim paraqitje dhe arresti në shtëpi. Ajo çka ndodh në praktik është që kjo masë, arresti me burg, nuk është përjashtim. Është masa që më së shumti kërkohet për personat e pandehur. Ndodh gjithashtu që këta persona shpeshherë nuk paraqesin një rrezikshmëri të theksuar shoqërore ose nuk akuzohen për vepra penale me rrezikshmëri të thekuar” thotë ajo, teksa shton se në paraburgim janë më shumë persona të varfër.

“Kemi gjetur në paraburgim me probleme nga social-ekonomike, të varfër. Sistemi ynë i drejtësisë penale ka krijuar një skemë jo të barabartë, sepse nëse për këta shtetas, kemi gjetur edhe të paraburgosur për vjedhje energjie elektrike. Nëse për këta kërkohet arresti me burg, ne kemi një kategori tjetër personash të cilët janë akuzuar për vepra edhe më të rënda, sikurse fshehja apo mosdeklarimi i të ardhurave, shpërdorimi i detyrës, edhe raste të korrupsionit, të cilët janë hetuar të lirë, apo me masa të buta detyrim paraqitje ose arrest në shtëpi. Kjo është një skemë e pabarabartë. Ndihet selektiviteti dhe ndikon në mirëqenien e tyre. Kufizimi i lirisë duhet të jetë masa e fundit përjashtimore” pohon Skëndaj.

Ndërkohë, burgu për të varfrit ka sjellë edhe ngjarje flagrante. Në vitin 2022, dy të paraburgosur në Kamëz dhe Kavajë, u vetëflijuan pasi u shoqëruan nga policia. “Kemi parë raste shumë flagrante që kanë shkuar deri në vetëflijim, për shkak të masës së sigurisë. Sikurse është rasti në Kamëz në vitin 2020, i cili megjithëse akuzohej për vjedhjen e një portofoli me pak lekë. Ai ishte me kemp, me probleme të shëndetit mendor dhe më pas shkoi deri në vetëvrasje në qelitë e 313-ës. Rasti tjetër është i një të riu në komisariatin e policisë në Kavajë” shton ajo.

Avokatja e Popullit mendon se këta persona kanë pasur edhe probleme të shëndetit mendor, të cilat duhet të ishin verifikuar në momentin e shoqërimit. “Ne besojmë se kanë pasur probleme të tjera të shëndetit mendor, të cilat duhet të ishin vlerësuar kur u futën në komisariate” thotë Ballanca.

VIP-at dhe KAPO-t në “suita”

Një problem madhor brenda burgjeve, është edhe trajtimi i diferencuar i të burgosurve. Në vitin 2023, Avokati i Popullit bëri një inspektim në Burgun e Durrësit, ku gjeti se të burgosurit VIP kishin ambiente më të mira se të tjerët. Ata qëndronin në një sektor, ku nuk mungonin ambientet e gatimit, me të gjitha pajisjet, tavolina apo edhe gjithçka tjetër.

“Ata janë persona që janë duke vuajtur dënimin, mendoj që sistemi peniteciar duhet ti ketë në një sektor. Të jenë me persona të ngjashëm dhe mos të jenë në rrezikun që mund ti kenë dënuar dhe futur në burg më parë. Ne kemi kërkuar që kushtet e përgjithshme të përmirësohen, s’mund të themi që përkeqësojani, por themi që përmirësojani edhe të tjerëve për të gjithë. Dhe për këtë arsye themi ky disporcion krijon problematikë për shkak të trajtimit të pabarabartë” thotë ajo.

Një problem i ngjashëm u konstatua edhe në Burgun e Peqinit, ku ngjarja e fundit zbuloi se të dënuarit për krime të rënda, ose siç njihen “kapot”, trajtoheshin ndryshe nga të tjerët. Madje, ata kishin investuar në dhoma, duke bërë meremetime, mobilime dhe gjithçka tjetër. Në sektorin e sigurisë së lartë kishte shumë shtretër bosh, ndërkohë që në sektorët e tjerë kishte mbipopullim.

Miliona euro shpenzime, por mbipopullim, lagështirë …

“Nëse do të shkojmë institucion për institucion, mbipopullimi ka problematika më të mëdha. Pse? Ndahen sektorët brenda burgjeve për të dënuar dhe paraburgosur. Dhe te paraburgosurit ka më shumë mbipopullim sesa në sektorët e të dënuarve. Aty ku duhet të ishin kushtet më të mira, që janë institucionet që vuajnë persona të shëndetit mendor, nga një kapacitet prej 198 personash, ne kemi 458. Ne kemi dyfishin e kapacitetit” thotë ajo.

Megjithëse janë investuar dhjetëra miliona euro për të ndërtuar burgje të reja, apo për të mirëmbajtur ato ekzistuese, sërish ka kushte të këqija. “Një nga burgjet më të këqija është paraburgimi i Mine Pezës, siç është godina e paraburgimit. Tjetra është një godinë e mirë. Qelitë, edhe dalja në ajrim ku ata dalin në tarracë. Tepelena, Burreli? Të dyja problematike, sidomos Tepelena. Ne kemi rekomanduar mbylljen. Tepelena përveçse e vjetër ka edhe mbipopullim. Edhe harta gjyqësore ka një problem, Tepelena do mbyllej por aty do çohen ata të qarkut dhe është e pamundur të mbyllet për momentin” thotë Ballanca.

Ndërkohë, Skëndaj shton se infrastruktura është ajo që sjell shqetësime të këta shtetas. “Janë mbyllur disa burgje problematike në Shqipëri si Zaharisë në Krujë, apo burgje të tjera kohët e fundit. Burgjet që janë gjetur me problematika nga pikëpamja infrastrukturore janë Lushnja, Tepelena, Ali Demi, Burreli, Peqini, Mine Peza, 313-ta, pra janë disa burgje. Madje edhe burgjet e reja, edhe duhet të mirëmbahen sikurse Peqini, Fushë Kruja dhe Shkodra” përfundon Skëndaj./Top Channel

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here