Ka ndërruar jetë në spital gruaja 49-vjeçe që u plagos mbrëmjen e kaluar në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë, pas një sherri me armë zjarri mes disa personave.
49-vjeçarja ishte kalimtare dhe nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Lajmin e ka konfirmuar shef i Klinikës së Intensivës në QKUK, Shaqir Uka.
“Ka pasur dëmtim të lartë të enëve të gjakut dhe kockës së këmbës së majtë. Këto lëndime e kanë çuar pacienten në gjendje të shokut. Pas operimit në Emergjencë është sjellë në kujdes intensiv. Tek ne është sjellë në gjendje shumë të rëndë, në shok të rëndë. Pavarësisht trajtimit dhe përpjekjeve të stafit, ajo ka ndërruar jetë para pak çastesh”, ka thënë Uka.
Në ngjarjen e mbrëmshme në Prishtinë vdiq edhe Egzon Haziri 30-vjeç. Për rastin, Policia ka njoftuar se autorët e dyshuar janë vëllezërit: Naim Berisha 39 vjeç dhe Ahmet Berisha 29 vjeç. E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti mes grupit të të dyshuarve Berisha dhe grupit të viktimës.
Vrasja në Prishtinë/ Identifikohet viktima dhe autorët e shpallur në kërkim