Analisti Neritan Sejamini, duke folur në emisionin “Të Paekspozuarit”, për arrestimin e dy drejtorëve të bashkisë së Tiranës, u shpreh se nuk dihet se ku shkojnë paratë e taksave që i paguhen bashkisë.
“Bashkia e Tiranës ka një buxhet prej 300 milionë eurosh dhe një pjesë mblidhen në mënyrë arbitrare. Një pjesë të tyre bashkia e mbledh me një taksë për arsimin që u vu si e përkohshme, por në mënyrë arbitrare, sepse taksat i vendos parlamenti. Atë taksën e pastrim-gjelbërimit që e ka rritur, më dhimbset sepse, sa dal nga shtëpia më dalin përpara ato kazanët e plehrave në rrugë, që kanë 100 vjet që nuk janë dezinfektuar. Aty te lagjja ime edhe pllakat janë kontaminuar. Ne paguajmë 100 lloje taksash dhe nuk dihet ku shkojnë paratë. Na premtoi dikur se ato makinat do t’i furnizonin dyqanet natën. Ti nuk e ke idenë se çfarë ndodh kur dal në mëngjes. Kur i vij rrotull sheshit “Skënderbej”, më dhimbsen paratë që i paguaj në mënyrë joefikase lloj-lloj taksash. Pastaj kur marr vesh që paratë tona i përdorin këta për hotel në Dhërmi, nuk e di çfarë duhet të bëj”-tha Sejamini.