Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka publikuar një video ku flet në lidhje me skemën korruptive të ngritur nga qeveria në nivel vendor dhe qendror që sipas saj shqiptarët e panë pas arrestimeve të fundit të drejtorëve të Bashkisë Tiranë.
Në video ajo ngre pyetjen se si ka mundësi që asnjë institucion shtetëror nuk ka dërguar asnjë kallëzim penal në SPAK në lidhje me shkeljet dhe për këtë ajo nënvizon se shkaku është sistemi i korrupsionit që qeveria ka ngritur.
Sipas saj, kjo do të thotë që nuk mund të kemi një qeveri që lufton korrupsionin nëse nuk kemi një të tillë që e denoncon.
“A e dini sa kallëzime ka bërë qeveria në SPAK? Zero kallëzime në tatime, dogana, koncesione a thua se i ka punët vaj qeveria dhe nuk ka nevojë të kallëzojë asgjë. Ndërkohë që arrestimet e ditëve të fundit në nivel lokal dhe nivel qendror treguan se sot nuk ekziston asnjë sistem parandalues për korrupsionin. Që nuk ekziston asnjë filtër, ku zyrtarë publik me poste publike, po pa kontribute publike dhe pa kontribut politik krijojnë kompani, marrin tendera, marrin koncesione, marrin leje ndërtimi japin favore familjarëve të tyre dhe e përdorin buxhetin e shtetit si bankomatin e tyre personal. Sigurisht që kjo ndodh me vullnet politik, me shkelje syri politike por tregon që sistemi ka dështuar. Tregon që auditi, kontrolli tek të gjithë filtrat me atë që ndodh me financat publike nuk kanë funksionuar. Për këtë arsye kemi nevojë për një qasje të re për të luftuar korrupsionin sistemik, këtë korrupsionin endemik që është duke gërryer çdo qelizë të qeverisjes. Kemi nevojë për një mënyrë të re, për një qasje të re duke nisur nga ligjet bazë tek ato më specifike. Për të nisur nga fushat me prokurimet, tatimet, me koncesionet, me pronën dhe kadastrën, me të gjitha ato sektorë që ofrojnë shërbime dhe në qendër të kësaj lufte duhet vendosur parlamenti. Nuk kam asnjë besim që ato që sot shkojnë përditë tek SPAK mund ta luftojnë korrupsionin”, tha Tabaku.