Dhjetëra fermerë në Fier kanë dalë në protestë mëngjesin e kësaj të shtune, për shkak të çmimit të ulët të luleshtrydhes.
Fermerët, nga të gjitha fshatrat e njësisë administrative Frakull kanë thënë se i gjithë prodhimi i tyre po u shkon dëm.
Ata kanë thënë për mediat se ky është viti më i keq, pasi kurrë më parë nuk ka ndodhur që në këtë periudhë, çmimi të arrijë deri në 40 lekë për kilogramë, ndërkohë që hedhin poshtë zërat se prodhimi i kësaj zone nuk është bio.
Madje njëri prej tyre ka treguar se është kthyer nga emigracioni, ndërsa tha se janë të braktisur nga shteti.
“Na thonë hajdeni investoni, erdha nga emigrimi, tani çfarë të bëj, të marr familjen të iki prap në emigrim, jemi të braktisur. Në Itali e shesin më 8 euro kilogrami, këtu me 400 lekë të vjetra”, tha tjetër fermer.
Përballë kësaj situate, fermerët kanë kundërshtuar fuqishëm dhe politikat e pikave të grumbullimit, të cilat sipas tyre, po e vendosin çmimin sipas dëshirës
Ata i kanë bërë thirrje qëverisë që tu vijnë në ndihmë në këtë situatë të vështirë, që po i çon drejt falimentimit.
Disa prej tyre i kanë hedhur arkat me luleshtrydhe në tokë në shenjë proteste kundër mosreagimit të shtetit dhe qeveritarëve.