Pas paktit mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe asaj italiane Giorgia Meloni, kanë nisur punimet për ndërtimin e kampit të refugjatëve në Gjadër të Lezhës.
Marrëveshja, e cila u mbajt sekret nga qeveria, u firmos në muajin nëntor të vitit të kaluar mes dy kryeministrave.
Prej disa ditësh makineritë janë stacionuar brenda zonës ushtarake në hyrje të fshatit. Punimet janë në fazën fillestare, fillimisht me ndërtimin e rrugës dhe më pas do të ngrihet një mur rrethues 7 metra i lartë, kjo për të penguar daljen e mundshme të emigrantëve nëse do të ketë tentativa të tilla.
Kampi i refugjatëve në Gjadër të Lezhës duhet të jetë gati më 20 maj, kohë kur pritet që të mbërrijnë edhe emigrantët e parë të kapur në det nga autoritetet italiane.Emigrantët afrikanë do të priten në një strukturë që do të ngrihet në Portin e Shëngjinit dhe nga aty do të transportohen me autobusë në Gjadër, ku do të qendrojnë deri në shqyrtimin e kërkesave për azil.
Kujtojmë se marrëveshja për emigrantët është kritikuar shumë nga opozita si në Shqipëri dhe në Itali, por skepticizëm ka shprehur edhe faktori ndërkombëtar apo edhe organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njëriut.Ndërkohë banorët e zonës nuk e dinë ende se çfarë do të ndodhë. Pavarësisht se janë interesuar, ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga drejtuesit e punimeve.
Banorët po ashtu shprehen se janë të frikësuar, pasi nuk janë të sigurt mbi kontrollin që do të ketë mbi emigrantët që do të sillen aty.





