Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka duke folur në takimin me demokratët e Fierit, ka deklaruar se në 11 vite, asnjë përparim nuk ka ndodhur në këtë qytet dhe në të gjithë Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij, Noka tha se, Edi Rama nuk ua kërkon votën shqiptarëve, por ua blen atë e kjo i lejon atij që të qeverisë me arrogancë.
Pjesë nga fjala e Flamur Nokës në Fier
Edi Rama ka 11 vite në pushtet dhe për 11 vite po të shohim sot në Fier, nuk ka asnjë përparim dhe zhvillim. Fieri është i zhytur në një batak varfërie dhe mjerimi, si kurrë ndonjëherë, në një batak pasigurie dhe juridike, në një situatë politike të tmerrshme dhe gjendje të paqenë ndonjëherë.
Pse? Sepse sot Fieri dhe çdo qytet i Shqipërisë do të ndihej më mirë po të mos kishte qeveri se të kishte një qeveri të tillë.
Sot Fieri dhe shqiptarët nuk kanë një qeverisje normale, por kanë një bandë në pushtet e cila për 11 vite ka parë vetëm ti vjedhë dhe aspak ti kontribuojë për ta.
Në 11 vite në Shqipëri janë rritur vetëm çmimet, dhe sot këto çmime në marketet e Fierit apo në çdo qytete tjetër janë të barabarta me çmimet në çdo qytet të Europës.
Sot është rritur kostoja e jetesës së qytetarëve të Fierit dhe është e barabartë me kostot e jetesës së një qytetari evropian.
A ka parë qeveria përveç shtrëngimit të lakut, a ka parë të nevojshme që qytetarëve duhet tu krijojë mundësi punësimi dhe të ju rrisë dhe rroga që të shkojnë paralel me çmimet në këto 11 vite.
Në 11 vite vetëm propagandë dhe fasadë kanë bërë, asgjë tjetër.
Kjo ndodh sepse shqiptarët nuk kanë më një pushtet që mendon për ta.
Edi Rama nuk ua ka kërkuar votën shqiptarëve, por ua ka blerë dhe ua ka vjedhur votën.
Këtu ka nisur dhe është thelbi i gjithçkaje, këtu është thyer kontrata që ka qytetari me qeverinë dhe kjo i ka mundësuar atij që të qeverisë me arrogancë, sepse ai votën e konsideron mall.
Ai qytetarët fierakë nuk i konsideron njerëz të cilët do të ju trokasë nesër në derë.
Ai Fierin e konsideron si një parcelë të tijën, sepse bandat, krimi i organizuar bën punën e tij kur vjen fushata.
Patronazhistët po ashtu, paratë po ashtu. Tani është koha ti themi ndal sepse ti nuk ke bërë asgjë për këtë vend. Sepse ti nuk meriton të jesh në krye të vendit.
Koha është ajo që i nxjerr të gjitha në shesh.