Vrasja e Pëllumb Metës/ Apeli lë në burg Hygertën dhe dy vëllezërit e saj

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjyklatës së Durrësit, për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për 19-vjeçaren Hygerta Meta dhe dy vëllezërit  e saj Hysen dhe Amerildo Meta, përkatësisht 25 dhe 22 vjeç.

Ata akuzohen për vrasjen e babait të tyre Pëllumb Meta, 50 vjeç dhe groposjen e trupit të tij për të humbur gjurmët, ngjarje kjo e ndodhur më 13 shkurt në Shënavlash të Durrësit, teksa trupi i groposur u gjet rreth 10 ditë më vonë.

  • Hysen Meta akuzohet për veprat penale: “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës” e kryer në bashkëpunim.
  • Hygerta Meta akuzohet për veprat penale: “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”; “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim.
  • Amarildo Meta akuzohet për veprat penale: “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”; “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim.

Vrasjen e Pëllumb Metës e ka marrë përsipër vajza e tij, Hygerta Meta, por grupi hetimor ka dyshime mbi deklaratën e saj, për shkak se në armën e krimit janë gjetur edhe gjurmët e gishtërinjëve të Hysen Metës.

Në eksperimentin hetimor, Hygerta Meta kreu disa qitje radhazi, duke vërtetuar se ajo dinte ta përdorte armën. Por, dy djemtë e arrestuar dhe bashkëshortja e viktimës, Blerina Meta, refuzuan të qëllojnë duke u thënë hetuesve se nuk dinë të përdorin armë dhe se nuk kanë provuar të bëjnë qitje ndonjëherë.

Refuzimi i ka thelluar dyshimet tek grupi hetimor se vrasjen e 50-vjeçarit mund ta ketë kryer njëri nga djemtë dhe se autorësia po kërkohet t’i lihet vajzës, me shpresën se ajo mund të dënohet më pak.

Nën hetim është edhe bashkëshortja e viktimës, Blerina Meta. Mbeten ende të paqarta arsyet e vrasjes së Pëllumb Metës.

Share it :