Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, iu është përgjigjur akuzave të Lulzim Bashës se nga amnistia do të përfitojnë të korruptuarit e dënuar nga GJKKO.
Me ironi, Bardhi tha se është lajm i mirë që Basha ishte zgjuar në orën 08:00, ndërsa thekson se asnjë zyrtar i korruptuar nuk amnistohet
“Lajmi i mirë që Basha ishte zgjuar që në orën 8. Sot është një ditë e rëndësishme për Kuvendin, se kryeministri do duhej të ishte për të dhënë llogari për dosjen Xibraka, por ka vendosur të dhunojë Kushtetutën.
Sa i takon amnistisë, në rastin konkret grupi i PD është kujdesur që drafti, që votohet këtë vit për amnistinë, të jetë i njëjtë për draftet e mëparshme edhe kur votohej nga Basha, me dy-tre dallime që kemi prezantuar. Asnjë anëtar i krimit nuk përfiton amnisti nga drafti, ndryshe nga sa ka ndodhur në vitin 2014, ku me votë të Bashës ka patur amnisti për anëtarët e krimit të organizuar.
Asnjë zyrtar i dënuar nga GJKKO nuk përfiton amnisti.
Së treti, ndryshe nga sa është vepruar nga të gjithë herët e tjera, janë përfshirë të gjitha rastet e protestuesve të opozitës e shoqërisë civile që përfitojnë. Dua të theksoj se nuk ka asnjë zyrtar të korruptuar që përfiton. Asnjë politikan nuk përfiton, asnjë zyrtar i lartë i korruptuar.
Ne do propozojmë që të futet në rend dite, për shkak të situatës në Kuvend ka tejkaluar çdo limit të shqyrtimit në seancë plenare,” tha Bardhi.









