Çmimet maksimale të shitjes së apartamenteve në bregdet kanë arritur 4,000 euro/m², kurse të vilave, 2 milionë euro. Për agjentët e shitjes, shtrenjtimi në Vlorë dhe Durrës vjen si pasojë e kërkesës reale, kryesisht nga të huaj. Në Sarandë, rritja e shpejtë e çmimeve po sjell rënie të shitjeve me 50%. Për agjentët e pasurive të patundshme, tregu po shkon drejt një flluske, që mund të shfryhet në muajt e verës, në të kundërt rrezikohet kolapsi. Modeli i ri i prenotimit pa filluar ende nga puna projekti po zbatohet nga Durrësi deri në Sarandë. Blerjet bëhen nga shqiptarë të diasporës dhe Kosovës dhe të huaj.
Brenda vitit, çmimet e pronave në bregdet janë rritur mbi 25%. Në resortet që po zhvillohen në Palasë, Orikum dhe Sarandë, çmimi maksimal i shitjes së apartamenteve është 4,000 euro/m².
Në vijën e parë të ndërtimit të resorteve në Lungomare, apartamentet po shiten me çmim 3,500 euro/m². Krahasuar me vjet, çmimet e pronave të vijës së parë në Lungomare në Vlorë janë shtrenjtuar mbi 25%.
Çmimi i pasurive për rezidentët në Radhimë dhe Orikum brenda vitit ka shënuar rritje nga 67 deri në 88%, sipas të dhënave për çmimet e shitjes të agjencive së pasurive të paluajtshme. Agjentët e pasurive të patundshme pohojnë se në vijën e parë në zonat bregdetare të Jugut nuk gjen pasuri të paluajtshme me çmim nën 3,000 euro/m².
Në Golem, çmimi maksimal i shitjes ka arritur 1,500 euro/m², kurse në Gjirin e Lalëzit, vlerat variojnë nga 2,400 deri në 3,300 euro/m².
Për të dyja këto zona, çmimet e apartamenteve mesatarisht janë rritur me 30% krahasuar me vjet, sipas Klajdi Memajdinit, menaxher i shitjeve në “Devinf Real Estate”.
Ai vlerëson se shtrenjtimi ka ardhur si pasojë e kërkesës reale apo faktorëve ekonomikë. Ndërsa çmimi i shitjes së vilave elitare në Gjirin e Lalëzit ka arritur në vlerën e 2 milionë eurove.
Në zonën e Shkëmbit të Kavajës, çmimet maksimale të shitjes kanë arritur në 1,800 euro/m² nga 1,500 euro/m² që ishin vjet (rritja 20%).
Sipas Eron Çumanit, drejtuesit të një prej agjencive më të vjetra në qytet “Saranda Property”, brenda qytetit të Sarandës, çmimet e apartamenteve variojnë nga 1,500 euro/m² për ndërtesat e ndërtuara para 10 vjetësh deri në 2,200-2,500 euro/m² te ndërtimet e reja me vendndodhje 500 deri në 1,000 metra larg detit.
Ndërsa për apartamentet e reja në proces ndërtimi në breg të detit, vija e parë, çmimet nisin mbi 3,000 euro/m².
Por inflacioni i çmimeve në Sarandë ka reduktuar kërkesën për blerje. Sezonin e kaluar, 90% e kërkesës u kryesua nga shtetasit italianë, gjermanë, zvicerane, çekë dhe polakë. Për këtë vit, sipas Eron Çumanit, kërkesa ka rënë me 50%. Sipas tij, tregu rezidencial në Sarandë po përjeton flluskë nga rritja abuzive e çmimeve të apartamenteve.
“Rritja e çmimeve ka tkurrur kërkesën për apartamentet e vogla 1+1 me vlerë totale deri në 100,000 euro.
Për apartamentet me vlerë totale shitjeje mbi 100,000 euro, nga të interesuarit kërkohet të ketë mundësi financimi, por bankat nuk mundësojnë financim për shtetasit jorezidentë. Për këtë arsye, kërkesa ka rënë me 50% krahasuar me vjet. E kam paralajmëruar edhe më parë.
Situata ishte e pritshme. Për të parë ecurinë e kërkesës, do të presim edhe çeljen e sezonit turistik”.
Rritja e çmimeve të pronave në Sarandë, sipas z. Çumani, po shkaktohet nga spekulimet dhe investimet e tepruara, dhe nuk vjen nga kërkesa reale e njerëzve që dëshirojnë të jetojnë apo të përdorin pronat.
Ai thotë se nëse shfryrja e flluskës nuk ndodh deri në fund të muajit qershor, duke krijuar presion mbi çmimet dhe si pasojë uljen e tyre, tregu i pasurive të paluajtshme pritet të hyjë në kolaps.
“Çmimet e tregut janë anormale. Nuk ka blerës që të ketë mundësi të shpenzojë më tepër se 150,000 euro pa mbështetjen dhe financimin e bankave.
Nëse ndërtuesit nuk e ndalin ngritjen e pajustifikuar të çmimeve të apartamenteve dhe gjendja mbetet kjo e tanishmja deri në fund të muajit qershor, do të fillojë shfryrja e flluskës. Shpresojmë që shoqëritë e mëdha ndërtuese, lokomotiva tërheqëse e tregut, do të reagojnë. Nëse nuk e kuptojnë rrezikun, tregu shumë shpejt do të shkojë në kolaps”, nënvizon z. Çumani.
Ndërsa administratori i “Century 21 Albania”, Jonian Antoni, vlerëson se rritja e çmimeve te disa zona është ndikuar nga projektet madhore në infrastrukturë, si ndërtimi i aeroportit të Vlorës dhe tuneli i Llogorasë, që synojnë të nxisin në të ardhmen zhvillimin e Jugut.
“Rritja e çmimeve është parë vetëm në disa zona, për shkak të zhvillimeve infrastrukturore. Për shembull, në Vlorë, sa më shumë afrohet hapja e aeroportit, aq më shume rritet interesi i blerjes dhe si rrjedhojë, çmimi.
Duhet saktësuar se çmimi nuk rritet nga viti në vit në asnjë vend të botës, por rritet apo ulet si pasojë e zhvillimeve pozitive apo negative në infrastrukturë, ekonomi dhe klimë biznesi”, thotë ai.
Z. Antoni nënvizon se dy vitet e fundit, 50% e blerësve të pronave në bregdet janë të huaj, të kryesuar nga shqiptarët e diasporës me pasaporta të huaja, polakët, italianët, çekët dhe hungarezët. Kërkesë të lartë për blerje ka edhe nga shqiptarët e Kosovës.
Qëllimi i blerjes është për shtëpi të dyta për 50% të individëve, por paralelisht edhe për t’i dhënë me qira gjatë sezonit. Ndërsa 25% e blerësve i blejnë pronat vetëm për t’i përdorur vetë dhe pjesa e mbetur për investim, sipas drejtuesit të agjencisë së pasurive të patundshme, “Century 21 Albania”.
“Shpërthejnë” çmimet në Vlorë; Kush janë blerësit
Për ndërtimet e zonave të reja rezidenciale të pozicionuara në vijën e parë të ndërtimit në Lungomare çmimet kanë arritur 3,500 euro/m² sipas të dhënave të agjencive të pasurive të patundshme.
Krahasuar me vjet, çmimet maksimale në këtë zonë për ndërtimet e reja janë rritur me 25%. Edhe për apartamentet në godinat e vijës së dytë të ndërtimit, çmimet janë shtrenjtuar me 25%.
“Këtë vit, çmimet kanë ndryshuar krahasuar me vjet. Çmimi më i ulët shkon në 1,500 euro/m², kurse më i larti, në 3,500 euro/m² në zonën e Lungomares. Brenda qytetit të Vlorës çmimet variojnë nga 700 euro deri në 1,700 euro/m², – sipas Aurela Xhaferaj broker pranë agjencisë “Century 21 Aulona”.
“Shpërthim” të çmimeve sivjet ka pasur edhe për zonat Radhimë dhe Orikum.
Sipas znj. Xhaferaj, në Radhimë, çmimet variojnë nga 1,500 deri në 2,500 euro/m². Në Orikum, çmimet nisin nga 800 deri në 1,500 euro/m² nga 800 euro/m² që arrinte niveli maksimal i tyre vitin e kaluar.
Krahasuar me të dhënat e marra nga agjencitë imobiliare për çmimet e vitit të kaluar, në këtë zonë rezulton se vlerat maksimale të shitjes për m² janë rritur nga 66 deri në 88%.
Jonian Antoni, administratori i kompanisë “Century 21 Albania”, thotë se kërkesa në bregdet është në varësi të çmimit dhe zhvillimit të infrastrukturës së zonës. “Zhvillimet më të mëdha në 5 vitet e fundit priten në tërësi në Rivierën Shqiptare dhe veçanërisht në Vlorë, për shkak të dy projekteve të rëndësishme infrastrukturore që pritet të përfundojnë së ndërtuari, si Aeroporti i Vlorës dhe tuneli i Llogorasë”.
Kërkesa për blerje në Vlorë është më tepër nga të huajt dhe emigrantët, sipas Aurela Xhaferajt, nga agjencia e pasurive të patundshme “Century 21 Aulona”, ndërsa vendasit fokusohen te blerjet me çmime më të ulëta.
“Vendasit janë kryesisht nga Tirana të cilët blejnë afër detit, kurse vlonjatët parapëlqejnë bulevardin ose qytetin”, pohon ajo. Sipas saj, 50% e blerjeve janë për qëllim banimi dhe 50% për investim nëpërmjet rishitjes, apo dhënies me qira.
Vlora
Për ndërtimet e zonave të reja rezidenciale të pozicionuara në vijën e parë të ndërtimit në Lungomare çmimet kanë arritur 3,500 euro/m² sipas të dhënave të agjencive të pasurive të patundshme. Krahasuar me vjet, çmimet maksimale në këtë zonë për ndërtimet e reja janë rritur me 25%. Edhe për apartamentet në godinat e vijës së dytë të ndërtimit, çmimet janë shtrenjtuar me 25%.
Kërkesa e lartë shtrenjton edhe Durrësin
Në Golem dhe në Shkëmbin e Kavajës nuk gjen më apartamente në ndërtime të reja me çmime ekonomike. Në këto zona nuk ka më ndërtime të reja në vijën e parë. Projektet e reja po zhvillohen në vijat e fundit dhe apartamentet po shiten me çmime nga 1,100 deri në 1,800 euro/m².
Në Golem, pranë zonës së pishave të buta, po zhvillohet një zonë rezidenciale dhe apartamentet po shiten me çmime 1,100 euro/m², sipas zyrës së shitjeve. Krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar, çmimet e apartamenteve për ndërtimet në vijën e dytë të Golemit janë rritur me 30%.
Klajdi Memajdini, nga “Devinf Real State”, tha se në vijën e dytë në Golem, apartamentet në fazë ndërtimi po shiten me çmime nga 900 euro/m² deri në 1,500 euro/m² në objektet e përfunduara. Në Gjiri i Lalëzit, çmimet e apartamenteve variojnë nga 2,400 deri në 3,300 euro/m².
“Çmimet janë rritur mbi 30% nga viti i mëparshëm. Shtrenjtimi është ndikuar nga rritja e kërkesës për ndërtime cilësore. Projektet me objekte rezidenciale të nisura tre apo disa vite më parë janë drejt përfundimit. Blerësit kanë interes për këto ndërtime, pasi përveç cilësisë së mirë të ndërtimit, infrastrukturës, brenda komplekseve çdo vit shtohet numri i turistëve ditorë.
Kjo po nxit interesin e individëve të investojnë për blerje pronash në bregdet, me qëllim dhënien e tyre me qira ditore”, pohon z. Memajdini. Sipas tij, blerësit potencialë të pronave në Durrës mbeten vendasit dhe shtetasit nga diaspora, për qëllime investimi.
Në Shkëmbin e Kavajës, çmimet e apartamenteve në ndërtimet e reja me vendndodhje në vijat e fundit të ndërtimit po shiten me çmime 1,700 deri në 1,800 euro/m² sipas ndërtuesve. Blerjet e apartamenteve po bëhen tërësisht nga të huajt për qëllime investimi, dhënie me qira apo edhe për banim gjatë stinës së verës. Në vitin 2021, për ndërtimet e vijës së parë në zonën e Shkëmbit të Kavajës, maksimumi i çmimit arrinte deri në 750 euro/m².
Bregdeti i Durrësit
Në Golem dhe në Shkëmbin e Kavajës nuk gjen më apartamente në ndërtime të reja me çmime ekonomike. Në këto zona nuk ka më ndërtime të reja në vijën e parë. Projektet e reja po zhvillohen në vijat e fundit dhe apartamentet po shiten me çmime nga 1,100 deri Në 1,800 euro/m².
Çmimet e apartamenteve shtrenjtohen me 11% në “Durrës Yacht Marina” brenda 8 muajve
Në “Durrës Yacht Marina”, çmimi minimal i shitjes së apartamenteve brenda 8 muajsh është rritur me rreth 11%. Më 8 mars u hapën shitjet për apartamentet në godinën e 7 të rezidencës “ParkView” ku sipas zyrës së shitjes, çmimet për tipologjinë e apartamenteve me sipërfaqe 58 metra katrorë nisnin nga 1,900 euro/m² deri në vlerat maksimale 2,600 euro/m², të përcaktuara në varësi të katit të apartamentit dhe pozicionimit të tij me pamje nga deti dhe pishina.
Për shitjet e fundit për godinat me vendndodhje 20 metra larg detit, çmimi minimal i shitjes, sipas komunikimeve të mëparshme me zyrën e shitjes, në qershor 2023 niste nga 1,715 euro/m². Ndërsa çmimi maksimal i shitjes për godinën në rresht të parë arriti deri në 2,600 euro/m².
Çmimi minimal i shitjes së apartamenteve krahasuar me shitjet e kryera një vit më parë është rritur rreth 11%. Në fillim, në to, çmimet nisnin nga 1,650 euro/m².
Pronat në projektin e ri “Durrës Yacht Marina” vijojnë të shiten në ajër. Për godinën në “ParkView” nga zyra e shitjeve u tha se leja e ndërtimit do të merret brenda një viti.
Shitja vijon me skemën e pagesës së prenotimit prej 1,200 euro dhe shlyerjen e totalit të vlerës së blerjes së apartamentit nëpërmjet 7 kësteve. Tarifa e paguar për prenotim nuk kthehet, por blerësit i llogaritet në këstin e fundit të pagesës.
Tre prej këtyre kësteve apo 40% e vlerës së apartamentit do të paguhet para marrjes së lejes së ndërtimit e ndarë në 20% e çmimit të blerjes që paguhet brenda 5 ditëve nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paraprake të Shitjes; 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 3 muaj nga data e lejes së ndërtimit dhe 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 6 muaj nga data e lejes së ndërtimit.
Për një apartament në rezidencën “ParkView” me sipërfaqe 58 m² që kushton 110 mijë euro, prenotuesi për blerje duhet të paguajë 44 mijë euro për totalin e çmimit të blerjes së pronës para marrjes së lejes së ndërtimit të objektit. Në rastin e godinës së shtatë për të cilën sapo kanë nisur shitjet, sipas zyrës së shitjes, leja e ndërtimit pritet të merret brenda një viti.
Projekti ka marrë statusin strategjik, pas të cilit shteti shqiptar u bë bashkaksioner, pasi në dispozicion të projektit u vunë 80 hektarë tokë shtetërore. Si investitore, kompania ka përfituar lehtësi të shumta, si përjashtimi nga taksa e infrastrukturës në ndërtim (4% e vlerës së shitjes dhe taksa e strehimit prej 3%).
Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma. Parashikohen vetëm 280 vende për jahte. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.
Durrës, projekti i Portit
Çmimet për tipologjinë e apartamenteve me sipërfaqe 58 metra katrorë nisnin nga 1,900 euro/m² deri në vlerat maksimale 2,600 euro/m², të përcaktuara në varësi të katit të apartamentit dhe pozicionimit të tij me pamje nga deti dhe pishina.
Vilat në bregdet
Në zonat bregdetare, tendenca e çmimeve të shitjes së vilave është në rritje. Klajdi Memajdini, nga agjencia imobiliare “Devinf”, thotë se çmimet e vilave në Gjirin e Lalëzit variojnë nga 500,000 euro më të voglat deri në 2,000,000 euro për vilat me sipërfaqe të mëdha në vijën e parë.
Vjet, çmimi maksimal i vilave varionte në vlera nga 1,6 deri në 1,7 milionë euro, në resortet Kep Mërli në Ksamil dhe San Nikolas në Palasë.
Drejtoresha e shitjeve dhe marketingut të “Concord investment”, Emira Brozi, thotë se në resorte, çmimi i shitjes së apartamenteve po unifikohet me çmimin e vilave.
“Në kërkesën aktuale, nga ana e blerësve potencialë të një prone dhe raportit të çmimeve mes njësive ‘apartament’ me ato ‘vilë’, dallimi është mjaft i vogël në vlera në euro/m², ndërkohë që jemi duke arritur drejt unifikimit të çmimit, e krahasuar kjo me vitet paraardhëse”.
Kërkesa për blerje, sipas znj. Brozi, edhe për këtë vit ashtu si edhe vitin që shkoi, po orientohet më shumë tek apartamentet se sa te vilat, pasi ky investim gjeneron të ardhura të larta falë qiradhënies.
“Apartamentet kanë më shumë lehtësi në procesin e menaxhimit të tyre, dhe janë më të përshtatshme për disa lloje kategorish blerësish, duke filluar nga të rinjtë, familjet e vogla e deri te pensionistët.
Për këta të fundit mund të shtojmë faktin se aktualisht dominojnë shtetasit e huaj, ata të cilët parapëlqejnë një vend të përshtatshëm për të jetuar, me taksa minimale, lehtësi të cilat duket se i gjejnë në vendin tonë”, thekson znj. Brozi.
Ecuria e çmimeve të shitjes së pronave në resorte
Në shumë resorte që po zhvillohen në Jug, krahas rezidencave me vila dhe apartamente nga investitorët, po ndërtohen edhe hotele të markave ndërkombëtare.
Në fazë ndërtimi është resorti “San Nicolas” në Palasë, punimet e të cilit nisën në 2021. Punimet vijojnë edhe për ndërtimin e resortit “Marina Orikum” në Vlorë. Në muajin shtator pritet të nisë ndërtimi i resortit “Marina Bay” në Sarandë, si dhe në skajin më jugor të Shqipërisë, Ksamil, resorti “Arameras”.
Çmimet e paracaktuara të pronave variojnë nga 3,000 deri në 4,000 euro/m², – sipas Ermira Brozi, drejtoreshë e shitjeve dhe marketingut të “Concord Investment”.
Ajo pohoi për “Monitor” se tendenca e rritjes së çmimeve nga viti në vit ndikohet nga shtimi i kërkesës, cilësisë së ndërtimeve dhe vendndodhjes që garantojnë kthim të lartë të investimit nëpërmjet qiradhënies.
Znj. Brozi shton se kërkesa është rritur edhe këtë vit, e cila dominohet më shumë nga të huajt, e ndikuar nga fluksi i lartë i turistëve. Blerësit e huaj, sipas saj, tregojnë më shumë interes për blerje prone me qëllim investimi, për shkak të leverdishmërisë së çmimeve krahasuar me fqinjët.
“Kërkesa për të blerë një pronë në Shqipëri nga shtetasit e huaj konstatohet të jetë në rritje me rreth 20-25% nga viti i kaluar, dhe kjo si rezultat i numrit të lartë të turistëve të cilët vizitojnë vendin tonë për bukuritë mahnitëse, tashmë i konfirmuar si top destinacion.
Konstatohet se më shumë se gjysma (mbi 55% e tyre) e kontratave të pronave të shitura në vitin 2023 nga ana e ‘Concord Investment’ në të dy projektet e saj, ‘San Pietro’ në Gjirin e Lalëzit dhe ‘San Nicolas’ në Palasë janë kryer nga blerës, të cilët kanë si qëllim investimin e tyre në qiradhënie”, pohon ajo./Monitor