Afera te bashkia Tiranë, Shkullaku: Në një vend normal, drejtësia do bëntë tërmet. Pafuqia e SPAK prodhon arrogancën e Ramës dhe të Veliajt

Armand Shkullaku, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për aferën e llahtarshme në Bashkinë e Tiranës me kompaninë 5D, ku ka rënë në pranga kupola e Bashkisë.

Shkullaku tha se veprimet e kryera janë “për në Hagë”, duke cituar rasin e një punonjëse që i ka dhënë kompanisë private kodet për të hyrë në sistemin e prokurimeve, për të caktuar kriteret dhe për të skualifikuar rivalët.

Analisti deklaroi se SPAK nuk ka “këllqe” të hetojë deri në fund aferën, ndaj sot po na shitet fabula se Erion Veliaj nuk e dinte që një kompani e një bukëpjekësi dhe elektriçisti, de fakto e drejtorëve të tij, ka marrë tendera miliona euro.

“Këtu vërtetojmë rënien e shtetit. Shtetin e drejton një bandë që ka në dorë, nga paratë publike deri te lejet, licensat, deri edhe reklamat për mediat. Këtu është krijuar një grup që merr direkt lekët e shtetit.

E dyta, ky është kulmi, një privat merr kodet e Komisionit të Prokurimit Publik, hyn vetë brenda, cakton kriteret, eleminon konkurentët dhe shpall veten fitues. Ajo është vepër për në Hagë, ajo vajza nuk e ka kuptuar se çfarë ka bërë.

Nga buron arrogance përballë një fakti të tillë? Janë të sigurt që SPAK sdo ti ketë “ato” për të vajtur deri në fund. Kjo i trimëron ata. Janë të sigurtë që SPAK nuk do të shkojë te ata. Ka vajtur te llogaritë e Redi Mollës, e këta. Nuk hyn kurrë te procedura.

Nëse ke një vit e gjysëm që mediat e kazanit dhe opozita e llumit të thotë, ore te inceneratorët po vidhet, te Bashkia po vidhet sepse kompania është e këtyre… A ka prokuror që nuk pyet, dakord nuk e dije, se ky nuk është skandal që shpërtheu papritur dhe një grup e ka bërë në fshehtësi të plotë. Këta thonë nuk dija gjë.

Ajo që e quaj rënien e shtetit, është ajo që thoshte Rama për Metën, nuk është problem i individit por sistemit. Tani thotë faji është individual, ka disa të korruptuar që nuk përballojnë dot tundimin e pushtetit. Pra paska një grup që vendosin për tendera dhe projekte qindra milionë euro, pastaj i përdorin për të blerë zgjedhje dhe kjo qenka vepër e disa ditëzinjve. Pafuqia e SPAK për të vepruar prodhon arrogancën e Ramës dhe të Veliajt.

Ka një gjë, Veliaj mburret dhe thotë me këta drejtorë kam bërë shumë punë. Kur vidhen kaq milionë euro, drejtuesi i institucionit thotë, ore kujt po ja japim këto milionë? Kush është kompania që na garanton suksesin?

Veliaj do ketë pyetur, kush e ftoi këtë tender? E fitoi një bukëpjekës. Ky vetëm me këtë deklaratë që ka bërë (në Opinion), prokurori më normal duhet ta thërrasë për fshehje të krimit. Pra alarmi ka rënë.

Ka patur kompani private që kanë bërë ankimim, kanë patur media që kanë denoncuar dhe opozita. Titullari, pyet dhe thotë kush është kjo kompani. Bukëpjekës. Ua, ose bukëpjekësi është fenomen ose kush është pas bukëpjekësit.

Në një vend normal, drejtësia duhet të bëntë tërmet. Jepen miliona një bukëpjekësi, muratori. Jepen qoftexhiut, koncesion në shëndetësi. Drejtësia, nëse ky Altin Dumani, do të kishte minimumin e ambicies personale për të qenë një lloij Di Pietro, ky rast është flagrant. Por, SPAK nuk guxon ta nxjerrë këmbën nga rrethi.

Këtu është si të dalë një padrino, t’i kapin gjithë bandën dhe ai të thotë përgjegjësia është individuale. Ka drejtësi në botë që amniston përgjegjësin?”, tha Shkullaku.

Share it :