Deputeti i pavarur, Agron Shehaj, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se Veliaj ka patur dijeni se kompania “5D” ishte e drejtorëve të bashkisë së Tiranës dhe ata ishin drejtuesit e fushatës elektorale të Erion Veliajt. Shehaj tha se ata kanë krijuar modelin e PS-së që vjedhin për të fituar zgjedhjet.
“Të gjithë e dinin se kompania ishte pronë e drejtorëve, del nga përgjimet. E dinin punonjësit e kompanisë, Molla dhe Qato bënin takime me stafin. Këta hiqnin njerëz nga puna.
E dinin të gjithë punonjësit e bashkisë. E dinin edhe konkurentët e tjerë. Ankimonin në fillim vendimet, por pastaj ndaluan sepse u mor vesh se kush ishte.
Pra vetëm Veliaj nuk e paska ditur.
Këta ishin drejtorët e fushatës elektorale të Erion Veliajt.
Nuk bëhet fjalë për pasurim të drejtorëve, por po flasim për një model. Vjedhin për të fituar zgjedhjet.
PS deklaron 1 milion euro për zgjedhjet, shifër qesharake me qindra milionë që harxhohen.
Veliaj nuk e dinte? Nuk e pyeste veten ku i gjejnë paratë këta drejtorë që bëjnë fushatën time?
Nuk i lindën dyshimet se mos po i vjedhin?
Ato para kanë mundësuar fitoren e Veliajt dhe Partisë Socialiste. Nuk kemi vjedhje të rëndomtë, por një sistem që ka kthyer zgjedhjet në një formalitet.
Nuk është një vjedhje, por është kapje e sistemit. Nuk ka më zgjedhje. Në bashkinë e Lushnjës u arrestua një kryetar bashkie për korrupsion dhe ai dha dorëheqjen. PS-ja fitoi zgjedhjet me 60 për qind. Kështu edhe në Dibër. Dhe është mesazh për SPAK-un dhe për opinionin publik”-tha Shehaj.