Nga Besart Xhaferri:
Vjedhja e të dhënave të sistemit TIMS është padyshim ndër krimet më të rënda shtetërore në raport me çështjet e sigurisë, teksa u detyruan edhe zyrtarët amerikanë të reagonin, pasi janë ata që kanë ndihmuar Shtetin Shqiptar për implementimin e këtij sistemi, jetik për organet e sigurisë.
Koha ka dëshmuar se grupet kriminale përmes marionetave të tyre në Policinë e Shtetit dekadën e fundit kanë pasur akses në këtë sistem dhe kanë monitoruar lëvizjet e kundërshtarëve të tyre, të cilët më pas i kanë ekzekutuar pasi kanë hyrë në territorin shqiptar.
Ky Komision ka objektiv kryesor të faktojë që vjedhja e të dhënave të TIMS është bërë për të zhdukur të dhënat për lëvizjet e eksponentëve të mazhorancës me bosët e narkotrafikut dhe bajlozët e tenderave publikë.
Ishte sistemi TIMS që ka zbuluar lidhjen e ngushtë mes Olsi Ramës dhe trafikantëve të Xibrakës dhe Edi Rama i cili është në listën e dëshmitarëve duhet të pyetet në Komisionin Hetimor që ka nisur punën për këtë çështje dhe më pas edhe në SPAK.
Kryeministri nuk e ka luksin të heshtë dhe të fshihet pas rregullores së Parlamentit për të mos dhënë sqarime për faktin nëse trafikantët e drogës kanë përdorur të vëllanë e tij si garanci shtetërore për laboratorin e kokainës në Xibrakë.









