Ilir Alimehmeti, këshilltari i opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, tha në “A Krasta shoë” në Syri TV se Erion Veliaj po sillet njëlloj si 4 vitet e shkuara kur nuk kishte në këshllin bashkiak opozitën.
Alimehmeti tha se opozita ka kërkuar interpelanca vazhdimisht me Kryebashkiakun dhe ai i ka bërë bisht detyrimeve ligjore.
“Erion Veliaj zhduket sapo mban fjalimin e tij dhe ka si natyrë të tij largimin, ikjen, duke mos u përballur dhe vijon punët në errësirë.
Në kushte të tilla, Veliaj ka bërë fajtorë edhe këshillin bashkiak, që me arrogancë, me forcën e kartonit, miratojnë ato që i kërkon kryetari i bashkisë”, tha Alimehmeti.
Sipas tij, vendimet e marra për tenderat e ‘5D’ janë marrë në mënyrën më të trashë të mundshme.
Alimehmeti tha se Erion Veliaj nuk ka bërë as betimin si kryebashkiak, pasi bëri një festë në tarracën e bashkisë dhe nuk u betua para këshillit Bashkiak.
“A ka gjë më urgjente se kompania ‘5D’ dhe vjedhja e fondeve. Ia kërkuam që në datën 5 prill interpelancën dhe ajo ndezja në protest ndodhi pasi policia nuk lejonte anëtarët e këshillit që të paraqiste kërkesën, duke na penguar të bënim detyrën forcërisht. Do i çojmë këta policë për ndjekje penale, sepse penguan këshilltarët në bërjen e detyrës publike”, tha Alimehmeti.
Sipas tij, çdo qytetar e ka të qartë se po vidhen paratë me një incinerator që nuk ekziston, e dinë ata qytetarët e Durrësit se i kujt është ai hoteli atje dhe sa është paguar, e plot afera të tjera.
“Këta drejtorët e Bashkisë kush i emëroi? Ne synojmë të ndalim emoragjinë e parave që po vidhen”, tha Alimehmeti.
Sipas tij, janë të njëjtët emra, i njëjti mekanizëm, që merr paratë dhe ia jep asaj kompanisë së Ervis Berberit, megjithëse ky ishte i arrestuar nga SPAK. Ai tha se janë njerëz në presion në Bashkinë e Tiranës që po i kërkohet të firmosin.