Pas Butrintit dhe Spaçit duket se është radha e Bylisit që të jepet tek një fondacion.
Projekti për Parkun e Butrintit ka qenë kryefjalë e muajve të fundit, kjo për shkak edhe të kritikave të forta nga ana e UNESCO-s, pasi krijimi i një fondacioni nuk përmbush menaxhimin e integruar të Butrintit
UNESCO në raport, i cili u mbajt i fshehtë nga qeveria shqiptare, shprehej thellësisht e shqetësuar për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve ku në një pjesë po ndërtohet aktualisht një resort dhe u kërkoi autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e këtij parku
Ndërkohë ditën e hënë, më 8 prill është mbajtur një dëgjesë publike për planin e e menaxhimit të integruar të Parkut Arkeologjik të Bylisit, ndryshe nga ai i prezantuar më parë.
Ka qenë Ilir Parangoni, “team leader” i projektit Bylis në AICS-së (Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim), që prezantoi në mënyrë të përmbledhur detaje nga draft-propozimi i ri i qeverisë, i cili sugjeron, menaxhimin me fondacion të Parkut Arkeologjik.
Të pranishëm në prezantim ishin përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, arkeologë, përfaqësues nga Bashkia Mallakastër, IKTK-ja, etj. Po ashtu i pranishëm ishte edhe Tomorr Luzati, i cili deri në muajin janar, ka qenë “team leader” i projektit “Bylis” në AICS (Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim). Gjatë dëgjesës publike ai ngriti pyetjet se përse qeveria ka vendosur për të ndërruar modelin e menaxhimit të parkut, nga menaxhim i drejtpërdrejtë publik në menaxhim me fondacion teksa në pesë draftet e para propozimi ka qenë për administrim publik.
Por historia ka edhe një medalje tjetër, duke marrë parasysh edhe denoncimet e bëra nga opozita ku në skenë del sërish Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit (AADF), që prej kohësh po kërkon të marrë nën kontroll Parkun e Butrintit. Paragoni mesa duket mban edhe postin e drejtorit të projekteve pranë (AADF).
“6 milion e 250 mijë euro fondi në dispozicion të Bylisit dhe në 5 vite nuk ka ndodhur asgjë. Profesori Neritan Ceka ka qënë denoncues i vazhdueshëm i këtij skandali. Sot ka një degjëse publike që mesa duket interesin e vetëm nuk e ka te Bylisi, apo ku kanë shkuar paratë dhe si mund të rikthehemi Planit të Menaxhimit ku shteti shqiptar është përgjegjës. Duket se po gatuhet një plan ku dalin famozët e AADF, tashmë që drejtorin e tyre të projekteve Ilir Parangonin e kanë dërguar me punë tek Zyra Italiane e AICS ne Tirane,”- denoncoi në rrjetet sociale deputetja e opozitës Ina Zhupa.
Modeli i administrimit i propozuar për Parkun Arkeologjik të Bylisit ka qenë “menaxhimi i drejtpërdrejtë publik”, nga 8 punonjës. Por mesa duket gjërat kanë ndryshuar, pasi Bordi i Fondacionit të ri do të emërojë një Drejtor të Përgjithshëm për menaxhimin e sitit, e po ashtu do të ketë të drejtë investimi 5 ose 7-vjeçare.
Fondacioni i ri do të ketë autoritet në të gjitha sferat e funksionimit që lidhen me mirëmbajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, përfshirë menaxhimin e vizitorëve, organizimin e ngjarjeve, menaxhimin e shërbimeve turistike, zhvillimin e kapaciteteve të brendshme, dhe angazhimin me komunitetin lokal etj.
Ndërkohë në draft thuhet se Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të vijojë të mbajë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndërsa fondacioni i propozuar do të merret me menaxhimin e përditshëm, organizimin e aktiviteteve të ndryshme me karakter edukues, evente, dhe promovime.
Por duket se asgjë në vendin tonë tashmë nuk bën më çudi, teksa qeveria e ka kthyer vendin në pronë të saj.
Këtu duke marrë parasysh zgjatjen e afatit për investimet strategjike apo votimit të ligjit që i hap rrugë ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe pa harruar edhe projektin e dhëndrit të ish-presidentit Donald Trump në Sazan.