SPAK kërkoi burg përjetë për Laert Haxhinë, si ndodhi masakra e Lushnjes

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar sot dënimin me burg të përjetshëm për Laert Haxhinë, i akuzuar si autor i masakrës së Lushnjes në vitin 2017, ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi.

 

Historia se si ka ndodhur masakra e Lushnjes, është “zbërthyer” në emisionin “Në Shënjestër” në News24, të gazetares Klodiana Lala.

PJESE NGA EMISIONI

Djali i ish-kryetarit të degës së Brendshme në Lushnjë, që nga një efektiv inteligjent i policisë që i shërbente shtetit, u kthye pas ekzekutimit makabër të të vëllait, në terrorin e Lushnjës, ku thuhet se përplasjet e tij të para me bandën e Artur Dajës, nisin që në vitin 1995, kur ky i fundit rivalizonte me bandën e Loshit të Karbunarës.

Është ende e paqartë se si Artur Daja nisi konfliktin me Alfred Shkurtin, i cili ndërkohë që kishte lënë uniformën e policisë kishte emigruar në Itali, aty ku thuhet se prishja e pazareve, mund të ketë sjellë edhe përplasjen e përgjakshme që do të pasonte tashmë midis dy ‘gangove’ që luftonin për të zotëruar Lushnjën, luftë e cila deri në ngjarjet e vitit 1997 kishte prodhuar disa viktima, por ku ajo që do të kulmonte me betimin e Alfred Shkurtit për të marrë hak do të ishte vrasja nga Artur Daja e vëllait të tij, Ramadan Shkurti.

Artur Daja thuhet se nuk u mjaftua vetëm me ekzekutimin e këtij të fundit dhe të atentatorëve ndaj tij, por i përdhosi publikisht kufomat duke i mbajtur peng trupat e viktimave dhe duke kryer me to veprime të turpshme aq sa edhe policia e kishte të pamundur të ndërhynte. Ishte ky momenti dhe kjo ngjarje që e ktheu Aldo Baren në një përbindësh, i cili menjëherë krijoi ushtrinë e tij dhe atë që më pas do të njihej si “Komisariati nr. 2” në Lushnjë, që ishte vendosur dhe bënte karshillëk fare pranë komisariatit të policisë në qytet. Një garazh famëkeq që u kthye në garnizonin e armatosur të bandës, nga ku Aldo Bare jepte urdhrat dhe ku torturoheshin rivalët e tij në qytet, komisariat që kishte zëvendësuar të vërtetë komisariatin e policisë.

Aty ku Aldo Bare u betua se nuk do të dilte pa marrë plotësisht hakun e të vëllait të përçudnuar nga Artur Daja dhe banda e tij, betim, të cilin e mbajti në jetë deri në vitin 2009, kohë kur u arrestua në Turqi.

 

Arrestimi i dha mundësi edhe grupeve rivale, të riorganizoheshin dhe të nisnin revanshin ndaj mbetjeve të bandës së tij që kishin ngelur jashtë qelive të burgut.

 

Një ndër këta rivalë që tashmë u ishte qepur nga pas ushtarëve dhe familjarëve të Aldo Bares, është edhe Laert Haxhiu, i afërmi i Bledar Haxhiut, të ekzekutuar nga banda e Aldo Bares në vitin 1998.

 

Ai i cili thuhet se dorëzoi trupin e mikut të tij Artur Daja te banda e Aldo Bares kundrejt një marrëveshje me këtë të fundit, por që u ekzekutua në pritë prej ushtarëve të dërguar prej tij, por ku një ngjarje tjetër do të shërbente si pretekst që Laert Haxhiu të niste nga puna për eliminimin e bandës së Lushnjës.

Sipas dinamikës së ngjarjeve, hakmarrja thuhet se nis zanafillën pasi banda e Aldo Bares, dogji shtëpinë e Shkëlqim Haxhiut, xhaxhait të Laert Haxhiut, por hakmarrja e bandës së Aldo Bares ndaj fisit Haxhiu nuk do të ndalej këtu.

 

Në janar të vitit 2005, anëtarë të kësaj bande vrasin Klodian Haxhiun, djalin e Shkëlqimit, xhaxhait të Laert Haxhiut. Do të ishte kjo vrasje, nisja e një revanshi të përgjakshëm tashmë nga Laert Haxhiu, ku në qendër të breshërive të plumbave tanimë do të ishin anëtarë të bandës së Aldo Bares. I pari që do të ekzekutohej do të ishte Gerti Lala, anëtar i bandës së Lushnjës, që mbante pseudonimin “Iriqi”, i cili u ekzekutua më 8.07.2010, ku të arrestuar në lidhje me këtë krim, ishin Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, të cilët më pas u shpallën të pafajshëm dhe u liruan nga Gjykata e Rrethit Vlorë

 

Por ky do të ishte vetëm fillimi i një serie të gjatë dhe tragjike të aksioneve që Laert Haxhiu dhe grupi i tij do të ndërmerrnin ndaj anëtarëve të bandës së Aldo Bares.

 

Ajo që do të cilësohej si kapitulli më i përgjakshëm i gjithë kësaj dhune të pambarimtë gjaku, do të ishte “Masakra e Lushnjës”, ndodhur më 11 Tetor 2017, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Përroit”, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, si edhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe një kalimtar i rastit, por ku objektivi i vërtetë i atentatit, ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, i cili, edhe më herët në vitin 2016 i  kishte shpëtuar një tjetër atentati, ku thuhet se organizatori ishte i njëjti emër, Laert Haxhiu

 

 

 

 

 

Share it :