Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është pyetur sot në Top Story nëse është marrë në pyetje nga SPAK lidhur me arrestimin e disa zyrtarëve të bashkisë së kryeqytetit. Ai tha se nuk është thirrur, por nëse SPAK do e kërkojë, do të shkojë të japë përgjigje.
“Kurdo që më thërrasin, jam i gatshëm. Askush nuk më pyeti. SPAK është organizatë shtetërore, patjetër do shkoj. Nuk më kanë thërritur, nëse më thërrasin patjetër që do shkoja se është i shtetit tim” – tha Veliaj që u shpreh krenar për punët që kishte bërë me personat e arrestuar.
“Është gjykata që i vërteton këto akuza. Sot ka pafundësi akuzash, deri më sot shumica janë rrëzuar ose mbyllur. Nëse është e vërtetë do marrin dënimin e merituar” –tha Veliaj që justifikoi edhe “mosdijeninë” e tij për vjedhjen e tenderave.
“Në bashkinë e Tiranës zhvillohen 1 mijë procedura, 30 ditë në ditë. Ka një gamë të gjerë, edhe prokurorë janë qytetarë të këtij qyteti, në orarin e punës, detyra e tyre është në të gjitha institucionet është të shohin shkeljet, detyra ime është bashkëpunimi” – shtoi Veliaj që më pas u përpoq tra minimizojë çështjen.
“Në 1 mijë procedura që ka bashkia, fakti që sot edhe për 1% jo vetëm që nuk i bëhet rezistencë, por shkresat në Prokurori cohën vetë nga bashkia, çdo gjë që i kërkon Prokuroria. I njoh dhe i kam bashkëpunëtorë, kemi bërë punë të jashtëzakonshme bashkë, Taulanti (Tushe) ka bërë 40 shkolla në Tiranë…”, – tha Veliaj.









