Deputeti demokrat Lefter Gështenja, anëtar i Komisionit Hetimor për vjedhjen e të dhënave nga sistemit TIMS, në një intervistë për SYRI TV tha se Ervin Muço, drejtori i IT në Policinë e Shtetit, ishte dëshmitar kyç për hetimin parlamentar.
Ervin Muço u arrestua një ditë më parë me urdhër të Prokurorisë dhe ky veprim ka ngritur dyshime të forta se ka ardhur për të penguar paraqitjen e tij para komisionit hetimor.
“Duke arrestuar personin në fjalë, duket se Qeveria do të mbyllë skandalin këtu, pra me arrestimin e Drejtorit të IT. Por hetimi parlamentar duhet të hetojë përtej datës 2 gusht, kohë kur sipas të dhënave Ervin Muço, i shoqëruar nga një tjetër person, punonjës i AKSH-it, kanë ndërhyrë në sistem”, tha Gështenja.
Sipas tij, hetimi parlamentar duhet të hetojë më gjerë, për faktin se kemi të bëjmë me të njëjtin grup personash që kanë bërë ndërhyrje të ngjashme, duke nxjerrë në treg qoftë të dhënat sensistive të qytetarëve, ashtu edhe targat e makinave.