Shqyrtimi i mandatit të ish-ministres Olta Xhaçka vijon të mbetet peng i zvarritjes nga mazhoranca, e cila e dërgoi çështjen në Parlament për të vendosur ky i fundit nëse do t’i drejtohet apo jo Gjykatës Kushtetuese.
Votimi do të behët në seancën e kësaj të enjteje.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka kërkuar që çështja t’i adresohet Kushtetueses për të konstatuar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës për faktin se bashkëshorti i saj, si investitor strategjik, ka përfituar pasuri publike dhe rrjedhimisht dhe vetë deputetja e qarkut të Korçës, çka bie ndesh me përcaktimet kushtetuese për deputetët.
Socialistët e cilësojnë si në konflikt vetë Gjykatën Kushtetuese që me këtë vendim të 2023 iu diktojnë ligjvënësve sipas tyre votën.
Demokratët dorëzuan dje raportin për mandatin e Xhaçkës ku thuhet se deputetja ndodhet ne kushtet e papajtueshmërisë, çka duhet të sjellë edhe përfundimin e mandatit të saj, si dhe denoncon faktin se ish-ministrja e Jashtme ka përfituar të drejta pasurore mbi pasurinë e shtetit.
“Në vijim të fakteve dhe rrethanave të çështjes, të drejtës së aplikueshme dhe jurisprudences së Gjykatës Kushtetuese, analizës ligjore dhe procedurës parlamentare të ndjekur, është e qartë se deputetja dhe ish ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Olta Xhaçka ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë, të përcaktuar nga neni 70, pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës së Shqiperisë, pasi shoqeria “AG.TÇ” sh.p.k., e cila ndodhet në pronësi të bashkëshortit të saj, Z. Artan Gaçi, e për rrjedhojë edhe në pronësi të saj, në kuptim të nenit 74 të Kodit të Familjes, dhe nenit 35 të ligjit nr. 9367/2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, ka përfituar të drejta pasurore mbi pasurinë e shtetit.
Konkretisht, si rezultat i përdorimit te brigjeve te detit, e cila përbën pasuri shtetërore, për instalimin e stacioneve të plazhit në fshatin Gjilekë, Himarë, shoqeria “AG.TÇ” sh.p.k., ne bashkëpronesi të bashkëshortit dhe të deputetes Xhaçka, do të sigurojë të ardhura, çka përbën qartazi një veprimtari fitimprurese që buron nga pasuria e shtetit”, thuhet në raport.