“Në komisionin hetimor për sistemin TIMS, një nga anëtarët e mazhorancës thërret z. Berisha si në cilësinë e dëshmitarit. Pra, bën një kërkesë. Dhe në mënyrë urgjente, me urdhër personal të Edi Ramës, është revokuar kërkesa. Pse?!”
Nga fjala e avokatit Genc Gjokutaj sot gjatë konferencës së shtypit të znj. Argita Malltezi dhe ekipit të përfaqësuesve ligjorë të z. Sali Berisha dhe z. Jamarbër Malltezi, lidhur me vazhdimin e mbajtjes së tyre në arrest pa prova.
Av. Gjokutaj: “Po ti qëndrosh arsyetimit të SPAK-ut në bashkëpunim me GJKKO, afërmendsh që gjykata bën çfarë i thotë SPAK dhe po për këtë arsye, afërmendsh që procesi është politik.
Po afërmendsh sipas arsyetimit të tyre, por jashtë çdo lloj logjike dhe ligji, ky proces është politik dhe i drejtuar posaçërisht nga Edi Rama.
Më lejoni të them që vendimi i masës së sigurimit të liderit Berisha është zgjatim i vendimit të mëparshëm me po këtë objekt – zëvendësimin e detyrimit me paraqitje dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit, pasi ai vendim i parë pasohet nga ky i dyti sepse ato janë në sinkron me njëra- tjetrën. Është Kushtetuta e shkelur ajo që i lidh pazgjidhshmërisht këto dy vendime, sepse ishte detyrë e Gjykatës së Lartë, herën e parë që të konstatonte antikushtetueshmërinë dhe çdo akti i pavlefshëm dhe çdo akt tjetër që mbështetet mbi këtë pavlefshmëri, është i pavlefshëm.
Imagjinoni dy trupa gjykuese të Gjykatës së Lartë si gjykatë ligji jo si gjykatë fakti, nuk e konstatojnë këtë. Mendoni ju që ata nuk e kanë kapacitetin?!
Në mënyrë absolute! Afërmendsh që është proces politik dhe në proceset politike, afërmendsh që nuk konstatohen këto parametra në proces.
Do t’ju them një diçka shumë interesante për ju. Në komisionin hetimor për sistemin TIMS, një nga anëtarët e mazhorancës thërret z. Berisha si në cilësinë e dëshmitarit. Pra, bën një kërkesë. Dhe në mënyrë urgjente, me urdhër personal të Edi Ramës, është revokuar kërkesa. Pse?! Logjika është tepër e thjeshtë. Kjo politikë po lodhet shumë me GJKKO dhe me SPAK-un për të mos e lejuar zotin Berisha që të vejë në parlament. Kemi bërë kërkesë që ai të shkojë në Kuvend dhe një anëtare e mazhorancës, e cila besoj se është periferike, nuk i di këto lojërat e Shefit të saj, ka rënë në “mina”. Mirëpo Shefi, si gjithmonë inteligjent, dhe vigjilent shumë, e ka revokuar këtë.
Pra, ka një simetri midis zgjatjes së afatit të hetimit për të djegur afatin e mandatit. Merret zgjatje, për të shkurtuar! E kuptoni ku kanë mbërritur këta?!”