Në një takim me demokratët në Durrës nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi, prezantoi Mekanizmin e Dialogut Politik.
‘Është një mekanizëm i vështirë, nuk ka rregulla të mirëpërcaktuara, por aq më shumë kjo na bën ne si opozitë të jemi maksimalisht kontribuues në mënyrë që oferta jonë të qartë për publikun, sigurisht për aleatët, dhe vështirësisht e kundërshtueshme.
Si çështje kryesore ne mendojmë se duhet patjetër të rikthehemi te ajo që ishte marrëveshje politike jo vetëm me konsensus politik, por edhe me mbështetje ndërkombëtare. Pra te marrëveshja e 5 qershorit.
Ishte një marrëveshje, në atë gjendje siç ishte, nëse nuk do ishin prekur themelet e Kushtetutës, koalicioni opozita do ishte sot në pushtet.
Çështje kryesore aty është rikthimi i koalicioneve me lista të përbëra, koalicioni siç e kemi njohur në vitin 2013.
Praktikisht çdo parti e koalicionit të ketë të drejtën të ketë emrin e saj në fletën e votimit, qartazi të dukshëm, kutinë e saj për të votuar, të mbledhë ajo votat që i takon dhe nëpërmjet asaj vote, çdo parti e koalicionit të ketë mundësi të marrë mandatin.
Në këtë mënyrë, rezultati do jetë i drejtë. Kemi sot provën se si një parti, LSI në vitin 2021 mori 108 mijë vota dhe vetëm 4 mandate. PSD vetëm me 30 mijë vota, mori 3 mandate. Diçka e tilla është në dëm të të gjitha partive, sidomos në dëm të partive të vogla.
Po ashtu jemi plotësisht për listat e hapura. Zgjedhësi të ketë të drejtë të përcaktojë kandidatin që do të zgjidhet dhe të jetë përfaqësues i partisë përkatëse.
Një çështje tejtër më rëndësi është trajtimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Edhe këto lidhen me marrëveshjen e 5 qershorit, por janë ato që janë nënvizuara si problemet më të mëdha në zgjedhjet: shitblerja e votës, cenimi i votës sekrete, përdorimi i shtetit për të ushtruar presioni, përdorimi i burimeve shtetërore në favor të kandidatëve në qeveri edhe përmes akteve qeveritare, siç janë rritjet e rrogave, sepse kjo është e ndaluar sepse ndikon në procesin zgjedhor.
Kemi ndërmend të trajtojmë me seriozitet të mbështetur me shembuj të qartë, problemin e blerjes së të drejtës së votës.
Njerëzve u jepen paratë, kërcënohen dhe qëndrojnë në shtëpi. Nuk i lejojnë të votojnë. Praktikisht është anulim i të drejtës së votës.
Vendet e tjera kanë praktikën e votimit të detyrueshëm. Vota është një e drejtë, por ky është një mekanizëm që garanton këtë të drejtë. Askush nuk kërcënon për t’i lënë në shtëpi, por edhe garantohet një e drejtë e personit.
Dhunimi i lirisë së votës nëpërmjet patronazhistëve apo nëpërmjet të dhënave personale, ushtrimi i presionit nga shteti kërkon një ndërhyrje të fortë dhe të qartë në kodin zgjedhor. Por ne do kërkojmë edhe forcimin e ndëshkimeve penale. Do ua shtrëngojmë vidën SPAK-ut apo institucioneve që deri sot nuk kanë bërë asgjë.
Një çështje me rëndësi është vota e diasporës. Të gjitha të dhënat tregojnë se shumica e qytetarëve me të drejtë vote, janë jashtë vendit.
Ajo që propozojmë ne është një mekanizëm i thjeshtuar, i qartë që këta qytetarë që edhe kontribuojnë me para për këtë vend, ta kenë të drejtën dhe të jenë faktori që përmbys mekanizmat e kontrollit që qeveria vendos.
Do na duhet të trajtojmë edhe çështjen e votimit elektronik. Nga një anë është garanci e madhe, por nëse përdoret keq, dëmton besimin.
Dhe në fund fare, bërja efektive e të gjitha sanksioneve. Nëse ne shkruajmë në letër dhe nuk i bëjmë efektive, e gjitha kjo nuk ka rezultatin që pritet.
Të gjithë këtë mendojmë ta bëjmë jo vetëm në koordinim të plotë dhe teknik të partive të opozitës, por edhe në partneritet me OSBE/ODIHR dhe me Këshillin e Europës në mënyrë që ajo që ofrojmë do jetë solide.
Sigurisht askush nuk garanton se Edi Rama do ketë vullnet për ta bërë, por beteja jonë është kjo që po bëjmë bashkë, se në momentin kur numri i votave do jetë një dallgë, çdo kornizë ligjore e mirë apo e keqe nuk e përballon dot atë.‘, tha Bylykbashi.