VOA: Mazhoranca nuk i bindet Kushtetueses dhe injoroi drejtësinë për Xhaçkën

0
85
CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 82

Në Shqipëri, shumica e majtë vendosi sot të mos i bindet një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, duke shënuar rastin e parë të shpërfilljes së institucionit më të rëndësishëm të Drejtësisë në vend. Ishin 72 deputetë socialistë, të cilët votuan kundër dërgimit në këtë Gjykatë të çështjes së papajtueshmërisë së mandatit të deputetes dhe ish ministres së Jashtme Olta Xhaçka. Një akt i cili u interpretua nga opozita si një “puç ndaj Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese”.

Socialistët nuk dhanë asnjë shpjegim konkret se përse nuk pranuan dërgimin e rastit në Gjykatë, por u përpoqën të bëjnë interpretime rreth dy vendimeve të Gjykatës për këtë çështje. Njëri që kishte të bënte me kërkesën e një të pestës së deputetëve, ku kërkohej gjykimi në themel i papajtueshmërisë së mandatit të zonjës Xhaçka, dhe tjetri që kërkonte zgjidhjen e konfliktit mes një të dhjetës së deputetëve të opozitës dhe Kuvendit, për rrëzimin e mocionit të tyre për dërgimin e rastit në Gjykatë.

Ndërsa në rastin e parë Gjykata vendoi pushimin e çështjes, në rastin e dytë, ajo vlerësoi se Parlamenti kishte vepruar në shkelje duke rrëzuar kërkesën për t’ja çuar gjykatës rastin e zonjës Xhaçka, si i vetmi organ kompetent për këtë. “Gjykata Kushtetuese vlerëson se në rastin konkret, Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues, nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi”, shprehej Gjykata në venndimin e saj.

Por pavarësisht se e cituan dhe në seancë këtë vlerësim të Gjykatës, socialistët sërish e penguan dërgimin e çështjes së mandatit të zonjës Xhaçka. Sipas tyre vetëm në rastin e Komisioneve hetimore, Gjykata e bën “detyruese” ngritjen e tyre, ndërsa në këtë rast “është parlamenti që vendos”.

Sipas opozitës, zonja Xhaçka është në konflikt interesi, duke qenë se bashkëshorti i saj, ish deputeti socialist Artan Gaçi, ka përfituar statusin e investitorit strategjik, për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut. Vetë zonja Xhaçka deklaroi sot se ajo nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, dhe se statusi që ka përfituar bashkëshorti i saj nuk parashikon që diçka e tillë të ndodhë. Zonja Xhaçka akuzoi opozitën se e ka përdorur çështjen politikisht, me të pavërteta dhe shpifje.

Por kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi, u kundërpërgjigj duke u shprehur se nëse zonja Xhaçka është e bindur se nuk është në konflikt interesi, nuk ka pse i druhet Gjykatës Kushtetuese, duke saktësuar se opozita po kërkon vetëm që të jetë Gjykata ajo që duhet ta vlerësojë.

Pas vendimit të parlamentit, zoti Bardhi foli për “një ditë të zezë për Shqipërinë dhe për parlamentin. Me këtë vendim ka humbur ekzistenca e Gjykatës Kushtetuese e cila u ekzekutua me votë në parlament. Nëse Xhaçka nuk zbaton një vendim të Gjykatës Kushtetuese, për çfarë do duhet shqiptarët e thjeshtë të zbatojnë një vendim të një gjykate të zakonshme?”.

Nga Gjykata Kushtetuese nuk ka një reagim mbi vendimin e marrë në mbrëmje nga parlamenti. Më herët, e pyetur për zvarritjen e rastit Xhaçka nga ana e parlamentit, kryetarja e Gjykatës, Holta Zaçaj, kishte deklaruar gjatë një interviste për Zërin e Amerikës se “është vërtet një situatë e pazakontë dhe e pamundur që të ndodhë në një shtet demokratik”. Sipas saj “vendimet e Gjykatës duhet të zbatohen, vendimet e Gjykatës nuk kanë ekuivok, nuk është lënë në çmim të politikës të vendosi se si dhe në ç‘mënyrë duhet të zbatojë vendimet. Vendimet janë të vetëzbatueshme. Kështu që çdo veprim që nuk përkon me atë që është thënë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, besoj që nuk është vendimi i duhur ose nuk janë veprime të duhura”.

Çështja e mandatit të zonjës Xhacka u rikthye në vëmendje ditët e fundit, edhe për një fakt tjetër që lidhej me bashkëshortin e saj dhe projektin e ndërtimit të hotelit në Dhërmi. Gjykata e Posaçme vuri nën sekuestro mbi 10 mijë metra katrorë sipërfaqe mbi të cilën parashikohet të ngrihet hoteli. Trualli i blerë nga zoti Gaçi, prej personave privatë, rezulton të jetë përfituar prej këtyre të fundit, përmes falsifikimit të dokumentave dhe se sipërfaqja ka qenë në pronësi të shtetit. Për rastin, pak javë më parë u arrestua dhe ish kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here