Në Shpirag është zbuluar sasi e madhe nafte, do ndryshojë ekonominë e Shqipërisë.
Këto ishin lajmet që pushtuan faqet e para të mediave dhe sollën shpresën te çdo shqiptar, shpresë që u përforcua edhe nga kryeministri Rama në 1 Korrik 2022.
“Presim me padurim edhe finalizimin e testeve për sasinë e gazit dhe të naftës të zbuluar në zonën e Shpiragut. Do të jetë një frymëmarrje e jashtëzakonshme për vendin tonë, do të jetë bekim i madh dhe do të jetë dalja përfundimisht në një nivel tjetër e Shqipërisë”– tha asokohe kryeministri i vendit Edi Rama
1 vit më pas, kur kompania SHELL kishte nisur punën me intensitet, erdhi edhe konferenca e jashtëzakonshme e Ramës me ministren Belinda Ballukun, për të dhënë disa lajme shumë të mira.
Sipas tij nafta në Shpirag ishte e një cilësie shumë të lartë dhe nga ky zbulim, të parët që do të përfitonin ishin pensionistët Përfitimet do të ishin shumë të mëdha për të gjithë, që do ndryshonin jetën e shqiptarëve, sipas Ramës.
Madje “Qershia mbi tortë”, ishte se do të ulej edhe çmimi i karburanteve në Shqipëri.
“Do të ketë një profil, i cili do të integrojë domosdoshmërinë për mbështetjen e pensionistëve.
Ky investim është kolosal, që do të thotë shumë punë për njerëzit, shumë fonde për punonjësit, shumë zhvillime në infrastrukturën e gjithë territorit, shumë pespektivë për industrinë e kështu me radhë.
Në momentin që ne disponojmë një pasuri të tillë, ne kemi në dorë edhe atë që sot se kemi dhe që nuk e ka asnjë shtet që nuk ka pasuri të tilla: influencën mbi çmimin”- deklaronte Rama.
Teksa të gjithë prisnin rezultatet e testeve, SHELL plas “bombën”. Në raportin e fundit, kompania tregon që ka humbur më shumë se 600 milionë euro, pjesa më e madhe nga kërkimet në Shpirag.
Pas gjithë asaj pasurie imagjinare që krijuam falë fjalëve të pushtetit, sot u rikthyem në realitetin e hidhur. Sot jemi sërish të varfër!