Institucionet harrojnë Sarajet e Toptanasve dhe Muzeun Besa, me dyer të mbyllura për turistët

0
90

Pasi i shpëtoi i zjarrvënies më 17 gusht 2021, “Sarajet e Toptanasve” hapën dyert në fund të tetorit të po atij viti për të parin aktivitet kulturor. Shtëpia e botimeve “Dudaj” prezantoi vëllimin e parë të biografisë presidenciale të Barack Obama-s, bashkë me personalitete të artit, kulturës, gazetarisë dhe politikës.

“I lumtur që ky botim hapi siparin e aktiviteteve të këtij niveli në Muzeun e ri Etnografik të kryeqytetit, që sapo mori pronësinë e plotë publike” – tha Veliaj në një status për aktivitetin.

Nën premtimin se do të shndërrohej në muzeun Etnografik dhe se shumë shpejt kjo godinë do “rikonstruktohej dhe hapej për publikun”, një tjetër aktivitet kulturor u mbajt disa muaj më vonë.

Dy vite më pas, bashkia e Tiranës duket se ka harruar se ka mbajtur dy evente në këtë objekt monument kulture, pasi thotë se nuk e ka hapur asnjëherë.

“Objekti “Sarajet e Toptanasve”, nuk është hapur për publikun që në marrjen e saj në pronësi nga Bashkia e Tiranës me VKM-në Nr.619, Datë 22.10.2021” – tha për Citizens në një përgjigje me shkrim Bashkia e Tiranë.

Më 12 shkurt 2022, për të festuar 102 vjetorin e Tiranës kryeqytet, “Sarajet e Toptanasve” hapën dyert për publikun sërish duke mirëpritur një program me valle popullore, shitje të produkteve artizanale etj.

Duket se ky aktivitet solli mbylljen dhe jo hapjen e siparit të aktiviteteve, sepse nga 12 shkurti 2022 dhe deri më sot asnjë aktivitet tjetër, as nuk është zhvilluar dhe as nuk është parashikuar.

“Nuk ka kalendar apo plane aktivitetesh për t’u zhvilluar në këtë objekt“- theksoi në përgjigjen e saj Bashkia Tiranë.

Po ashtu bashkia nuk ka mbajtuar as premtimin për restaurim mbas zjarrit të vitit 2021, me pretendimin se “godina do i nënshtrohet së shpejti rikonstruksionit për tu kthyer në një Muze Etnografik , si një vlerë e shtuar në qytetin e Tiranës për Kulturën dhe Trashëgiminë e saj“.

Edhe pse kanë kaluar tre vite që nga premtimi për shndërrimin e godinës në Muze Etnografik, deri më tani asnjë veprim konkret nuk ka nisur për realizimin e këtij objektivi. Edhe ky sezon turistik do e gjejë të mbyllur këtë godinë, ashtu si mjaft godina të tjera kulturore në kryeqytet.

Asokohe kryetari i bashkisë, e cilësoi një precedent historik dëmshpërblimin e 12 pronarëve me një shumë prej 2.5 milion dollarësh. Banesa e ish Toptanasve, gëzon që nga viti 1963 statusin e monumentit të trashëgimisë kulturore, kategoria e parë.

Njëjtë si “Sarajet e Toptanëve”, edhe Muzeu Besa, i cili pritet të jetë muzeu më i ri në kryeqytet, duket se është larg përfundimit.

Më 26 qershor 2023, ish – ministrja e Kulturës, Elva Margariti priti në një finale të një konkursi, pesë studio prestigjioze që aplikuan për shndërrimin e “Shtëpia e Libohovitëve” në një muze. “Muzeu Besa” do ti dedikohet historisë së shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe të historisë, traditës, kulturës dhe artit hebraik. Ky do të jetë muzeu i dytë pas atij të Vlorës, që i kushtohet rolit të shqiptarëve në ruajtjen e hebrenjve në periudhën e Holokaustit. “Shtëpia e Libohovitëve” që ndodhet në krah të kalasë së Tiranës u premtua gjithashtu se do të shpronësohej pas “Sarajeve të Toptanëve”.

Nga pesë studiot konkurruese MVRDV Holandë, EAA Emre Arolat Architecture Turqi, Schneider & Schumacher Gjermani, Cook Haffner Architecture Platform Angli, Oppenheim Architecture, Zvicër u shpall fituese kjo e fundit.

“Ministria ka një kontratë me bashkimin e operatorëve “Oppenheim Architecture + Design Europe LCC”, “Ralph Applebaum Associates Inc.” dhe “Commonsense Studio” të lidhur me 27.10.2023 për projektimin e “Restaurimit dhe muzealizimit të ish banesës së Toptanasve/Libohovitet, “Muzeu Besa” – konfirmoi Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).

Kontrata është e ndarë në pesë faza dhe vlera e kontratës është 20,000,000 lekë (pa TVSH).

Sipas MEKI nuk parashikohet hapja e godinës për publikun deri në përfundimin e punimeve dhe hapjes zyrtare të Muzeut Besa.

“Jemi në fazën e hartimit të projektit. Pas finalizimit të tij dhe marrjes së gjithë miratimeve të nevojshme, do të kemi një grafik punimesh ku mund të parashikojmë finalizimin e muzeut dhe hapjen e tij për publikun” – përfundojnë përfaqësues të MEKI.

/Citizens Channel

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here