Presidenti i vendit Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për zgjatjen e afatit për investimet strategjike. Ligji u miratua në seancën e 4 prillit, teksa parashikon zgjatjen e tij edhe me 1 vit.
Në 7 mars ky ligj u miratua me 68 votat e socialistëve, pa u plotësuar kuorumi i nevojshëm. Por pak ditë më vonë, Sekretariati i Etikës pas kërkesës së opozitës ka vendosur që të anulojë votimin e ligjeve në këtë seancë përfshirë edhe atë të investimeve strategjike.
Edhe pse nisi si një ligj i përkohshëm, socialistët po tentojnë ta kthejnë atë në një ligj të përhershëm.
Ligji për investimet strategjike, i miratuar në vitin 2015, u shty 5 herë dhe afati i fundit ishte deri më 31 dhjetor 2023.
Ligji pati kritika që në fillim për klientelizëm dhe si favorizues i një grupi të vogël biznesesh dhe emrash “VIP” në Shqipëri, me lidhje të afërta me kryeministrin Edi Rama.