Që nga orët e vona të së martës, qindra qytetarë të Kosovës janë bllokuar në Serbi, në pikë kalimin me Kroacinë, kanë bërë të ditur disa shtetas të Kosovës dhe Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.
Fatmir Haxholli nga kjo zyrë ka thënë se kjo ka ndodhur në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.
“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”,ka shkruar Haxholli në Facebook.
Haxholli, si dhe qytetarët e bllokuar, kanë konfirmuar se autoritetet serbe ua kanë marrë pasaportat dhe dokumentacionet duke i mbajtur.
“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, ka shtuar Haxholli.
Haxholli ka thënë se është në pritje të përcjelljes së afërt që të udhëtojë drejt pikëkalimit Batrovci për t’iu gjetur afër qytetarëve.
Sipas njërit prej qytetarëve të bllokuar, janë më shumë se 15 autobusë të ndaluar.
Në një lidhje direkte me emisionin “SOT” të KTV-së, një qytetar i bllokuar në këtë pikalim ka thënë se policia serbe s’ka pasur sjellje të këqija ndaj tyre, porse u kanë thënë se pa urdhër të Beogradi s’mund të bëjnë zgjidhje.
“Prej orës 22:30, jemi të bllokuar në zonën neutrale. Na kanë marrë letërnjoftimet dhe na kanë vendosur në zonë neutrale, në pikëkalimin me Kroacinë. S’ka asnjë përgjigje pse, ose ndonjë vërejtje. Veç po na thonë pritni. S’kemi mundur të kontaktojmë me askënd. Vetëm qytetarët që posedojnë letërnjoftim të Kosovës janë bllokuar. Policia ka hyrë brenda në autobus dhe na ka marrë të gjithëve letërnjoftimat. Mbi 1000 udhëtarë janë të bllokuar. Policia serbe s’është sjellë keq, por po na thonë pritni. Pa ardhur urdhri nga Beogradi, s’mund të bëjmë zgjidhje na kanë thënë”, ka thënë ky qytetar./ Koha.net