Fjalimi! Shehaj: Këta jo vetëm na grabisin, por edhe tallen!


Agron Shehaj ka hedhur akuza të forta ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe politikanëve, që sipas tij jo vetëm grabisin taksat e qytetarëve, por edhe i tallin.

AI citoi pjesë nga dosja e SPAK, ku thuhet se në Bashkinë e Tiranës janë vjedhur miliona euro nga pothuajse të gjithë drejtorët e Bashkisë dhe , të paktën një pjesë milionave kanë shkuar në hotelin që Veliaj po ndërton në Durrës.

“Siç e dini, SPAK-u ka zbuluar një aferë korruptive gjigante në Bashkinë e Tiranës. Por Veliaj tallet me qytetarët në lidhje me korrupsionin dhe vjedhjet e tij dhe të 9 drejtorëve në Bashkinë e Tiranës. Korrupsioni, thotë Veliaj, është një gabim,  është si ajo patatja që në një moment bie nga pjata, dikujt pa dashje i vunë me shumë byrek se sa mish…

Imagjinoni sa domethënëse, një kryebashkiak i kapur duke vjedhur miliona nga drejtësia, që duhet të kishte dhënë dorëheqje, mban një fjalim në menzën e të varfërve dhe ngaqë ata nuk mund t’a kuptojnë se çfarë janë miliona euro, merr si shembull patatet.

SPAK-u ka zbuluar që në Bashkinë e Tiranës janë vjedhur miliona euro nga pothuajse të gjithë drejtorët e Bashkisë. Sipas SPAK-ut, të paktën një pjesë e patateve ose milionave kanë rënë jo pa dashje dhe jo rastësisht në hotelin që Veliaj po ndërton në Durrës.

Harrojeni djalin e ri dhe pa para në xhep që ngjirej duke denoncuar korrupsionin e Fatos Nanos. Ai djali i ri sot është një nga njerëzit më të pasur në Shqipëri dhe bën një jetë përrallë”, tha Shehaj.

Më pas, ai u shpreh se ky ëhstë modeli i politikanëve dhe duhet gjetur patjetër një alternativë e besueshme, e cila do të krijojë mundësi dhe besueshmëri te qytetarët. Shehaj u kërkoi qytetarëve të besojnë dhe të mbështesin alternativën e tij, “Mundësia”, teksa shtoi se nuk ka asnjë dyshim se do i dalim, pasi është vetëm çështje kohe.

“Ky është modeli i tyre dhe kjo është arsyeja pse shqiptarët po ikin masivisht. Duhet të themi të vërtetën, kemi kapur fundin, dhe për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm. Vetëm duke parë të vërtetën në sy mund te jemi në gjendje të mendojmë një zgjidhje.

Nuk mjafton denoncimi i korrupsionit. Nuk mjafton të sjellim prova. Nuk mjaftojnë fytyrat e reja. Nuk mjafton të thuash që këta janë të korruptuar dhe do vijmë ne të ndershmit dhe të pakorruptuarit.  Modeli i ri, i mundësive te barabarta si në perëndim, do krijojë kushtet që ekonomia shqiptare të kalojë nga një rritje vjetore mesatare prej 2-3 % në një rritje mbi 10 %.

Zgjidhja kalon përmes rritjes ekonomike, ekonomia do rritet kur te kemi një qeveri jo vetëm që nuk vjedh, por qe hap ekonominë dhe iu jep shqiptareve të njëjtat mundësi që kanë politikanët, miqtë dhe familjaret e tyre. Modeli i mundësive është e vetmja rrugë.

Për këtë duhet që pak nga pak të ndërtojmë një alternativë të moralshme, të vërtetë dhe të pakapshme. Dhe me këtë ofertë të kërkojmë besimin dhe mbështetjen e qytetarëve. Do jetë një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë por është e vetmja mundësi që kemi. Është e vetmja mundësi për të cilën ia vlen të punojmë dhe të sakrifikojmë. Nuk kam asnjë dyshim se do ia dalim, është vetëm çështje kohe”, u shpreh Agron Shehaj.

Share it :