Komisioni Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS, i është rikthyer normalitetit. Në mbledhjen e kësaj të premteje (19 prill) është votuar dhe miratuar kërkesat për informacion ndaj institucioneve.
Kërkesat për informacion, të përgatitura nga eskpertët, do t’u dërgohen Besnik Dervishit, komision për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, Taulant Ballës, ministër i Brendshëm, Muhamet Rrumbullakut, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kreut të SPAK Altin Dumanit dhe institucioneve të tjera informacionet nga të cilët i shërbejnë hetimit parlamentar.
Deputeti socialist Nasip Naço ka kundërshtuar një pikë nga kërkesa drejtuar Altin Dumanit, duke thënë se po i bëhet presion Prokurorisë së Posaçme.
“Në lidhje me kërkesën drejtuar Altin Dumanit, votova kundër dhe nuk isha dakord me pikën dy të kësaj kërkese sepse Prokuroria nuk do të na japë asnjë emër për gjërat që ju kërkoni. Ka të bëjë me sekretin hetimor, dhe kërkoj që të mos vihet, ose të ishte më e moderuar, sepse e vini nën presion SPAK për të dhënë informacionet e hetimit”, tha Naço.