Urdhëronte aksione kundër shitësve ambulantë në rrugët e Tiranës, drejtori i policisë bashkiake hapi biznes fruta-perimesh

Prej 14 gushtit 2015, Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj mori vendimin për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme, nga shitësit ambulantë që tregtonin aty.  Nuk ishin të pakta rastet kur policia bashkiake organizonte “show” duke bërë aksione të mëdha kundër këtyre tregtarëve, ndërkohë që brenda një viti nga gushti i 2015, u vendosën të paktën 5000 gjoba.

 

Tregtarë të rinj e të moshuar që shisnin zarzavate, mallra të lirë industrialë deri tek legenat e kovat, “spastroheshin” nga policia, e cila përveç mallit që ju sekuestronte, iu vendoste gjoba dhe i procedonte penalisht në shumë raste për mosbindje ndaj uniformave blu.

Por ndërkohë që në sytë e publikut ndodhnin skena të tilla shpesh prekëse, duke njohur realitetin e varfër të pjesës më të madhe të popullit, ai që ishte vendosur në krye të policisë bashkiake nga Veliaj, Ermal Kapllanaj, në ortakëri me familjarë të drejtuesit të Policisë së Shtetit, Ferdinand Mara hapën biznes fruta Perimesh në tregjet e Tiranës.

 

Denoncimi në fjalë është bërë dje nga Belind Këlliçi, i cili ka treguar me detaje skemën e kësaj vjedhjeje duke e krahasuar me dosjen 5D.

 

Sipas anëtarit të kryesise së PD, në këtë aferë shihet se si vjehrri i Ermal Kapllanaj, nga profesioni i nderuar i axhustatorit me pagë 300 euro në një subjekt privat, gjen kohën dhe kapacitetet të bëhet biznesmen me hapjen e biznesit   FRESHMART me objekt: tregti në tregjet e fruta perimeve.

“Ortak në këtë biznes është “rastësisht” babai i Ferdinand Marës dhe vjehrri i Ermal Kapllanaj. Kjo kompani sipas të dhënave të QKB ushtron biznesin në disa adresa dhe më e fundit është një magazinë e ngritur me lejen e ndërtimit që Erion Veliaj ka firmosur për Drejtorin e tij Ermal Kapllanaj në vitin 2019. Sigurisht ne këto të dhëna do i’a përcjellim zyrtarisht SPAK, të cilët mbetet të shohim nëse do të vazhdojnë të jenë mburojë për kreun e Organizatës Kriminale 5D Erion Veliajn, apo do të kryejnë detyrën e tyre në zbatim të ligjit, siç presin dhe qytetarët shqiptarë”, ka denoncuar Këlliçi.

 

 

 

 

 

Share it :