Shteti është kudo. Në çdo sferë të jetës, brenda në shtëpi, në faturat që paguajmë çdo ditë, në taksat që japim, në muajin që e nisim me minus. Është shteti dhe kur duam të lëvizim diku, të ikim jashtë, të dalim me makinë, apo kur duam të hapim një biznes dhe regjistrojmë një pronë për të cilën kemi punuar gjithë jetën. Nuk e gëzojmë dot pa shtetin. Shteti është kudo, por papritur mungon atëherë kur ne kemi nevojë për të. Nuk është kur duhet për të bërë dokumentat dhe nxjerrë pensionin. Radhë, gabime, gjyqe, vite të shkuara dëm!
Papritur shteti zhduket atëherë kur trokasim në derën e spitalit. “Na bëj derman i lutemi”, por aty nuk ndihet shteti. Bëhet i gjallë prapë kur duhet të marrim ndonjë rekomandim për t’u kuruar jashtë, aty na tregon shpatullat sa të forta i ka dhe ne duhet t’i nënshtrohemi. Ta sodisim, të ulim kokën e të dorëzohemi. “Na shpëto t’i themi mos na braktis. Ti që je kudo, rri me ne dhe në ditë të vështirë.”. Por në ditët e vështira, shteti zhduket. Sillet si njeri. Nuk ka guxim të të thotë në sy fatin që të pret, të të sqarojë, të të japë një zgjidhje. Kështu po ndodh me jetën e dhjetëra familjeve në rrugën Ferit Xhajko. Ata presin një takim me shtetin: Bashkinë e Tiranës. Si do të shkojë fati i tyre: Do të jetojnë të qetë në shtëpi, apo shteti do të marrë vendimin për t’i nxjerrë në rrugë?
Në datën 2 prill 2024, 55 familjeve në zonën e tregut të ish-Uzinës Dinamo, u shkon kjo letër nga Drejtoria e Objekteve në Bashkëpronësi dhe ajo e Emergjencave Civile pranë Bashkisë Tiranë. Lajmërohen se nga dita në ditë pallati ku ata banojnë dhe kanë shtëpitë do të prishet!
Shkaku? Dëmtimet e tërmetit, 4 vjet e gjysmë më pas.
“Ky pallat është i banueshëm. Kur ne nuk ankohemi, ne jemi banorë dhe themi le të vdesim këtu, përse duhet shteti ta shembë?” thotë një banor. “Nuk duam të lëvizim që këtu, ketu kemi lindur fëmijët dhe i kemi martuar dhe këtu duam të qëndrojmë derisa të vdesim” thotë një tjetër banor. “Hajde shiko shtëpinë time është kuti!” tregon një zonjë. “Nuk ndihemi të rrezikuar në këtë pallat, nuk kemi fare asnjë shembje te ky pallat dhe as dëm apo problem.” thotë Gertian Velo, banor dhe përfaqësues i familjeve në pallatin që pritet të shembet. Vendimi është detyrues dhe u kërkon banorëve që të marrin masat menjëherë për të liruar ambientet, pasi përpara se të nisë shembja do të njoftohen vetëm 24 orë përpara.
“Ashtu siç ju kemi njoftuar, me Vendim të Këshillit Bashkiak nr.23, Datë 26.02.2024, është vendosur demolimi i detyruar i pallatit, bazuar në verifikimet dhe akt konstatimet paraprake të Institutit të Ndërtimit, grupeve të punës së njësisë administrative për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 dhe rrezikun që paraqitej është kryer akt ekspertiza e thelluar me operator ekonomik. Mbështetur në këto përfundime dhe oponencën e Institutit të Ndërtimit , ekspertët kanë dalë në konkluzionin se pallati duhet të demolohet.” thuhet në letrën dërguar banorëve nga Drejtori i Përgjithshëm i Objekteve në Bashkëpronësi, Kostandin Budurushi. Askush nuk dinte asgjë! Banorët tregojnë se kishin dëgjuar për një vendim të Këshillit Bashkiak për shembje, por në asnjë rast nuk bënin lidhjen me pronën e tyre. Arsyeja është e thjeshtë: adresa që vendimi i Këshillit Bashkiak referon për nisjen e procesit të demolimit është e ndryshme nga ajo që kanë banorët.