Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në fjalën e tij në mbledhjen e Komiteti Drejtues ditën e djeshme akuzoi sërish Monika Kryemadhin se ka dëmtuar partinë me nepotizëm.
Meta përmendi një nga ish ministret që tha se ai vetë e vendosi në këtë post, duke iu referuar Klajda Gjoshës, për të cilën tha se i kishte kërkuar të vinte në mbledhjen e komitetit drejtues, por ajo e ka sabotuar.
Meta tha se kur ajo t’i dalë përpara do të skuqet, pasi ai e bëri ministre në një kohë kur asaj s’i kishte vajtur mendja kurrë në jetën e vetë se mund ta kishte një pozicion të tillë, por asaj i kanë thënë të mos ishte e pranishme.
“Nepotizmi është ai që nuk na e bëri të mundur një shoqen tonë që e bëmë dikur ministre për ta promovuar për vlerat e reja dhe për edukimin e saj, sipas konceptit tim, që të ishte prezente në mbledhjen e kaluar të komitetit drejtues kombëtar.
Ajo ka qenë e rregullt në çdo mbledhje dhe unë kurrë s’ia kisha kërkuar të vinte. Për herë të parë, Ilir Meta, që e bëri ministre, e mori në telefon dhe i tha: të falenderoj shumë që ke qenë në mënyrë të vazhdueshme në mbledhje të komitetit drejtues dhe kam një lutje, të lutem edhe nesër dua të jesh prezente dhe nuk dua asnjë angazhim nga ju, as të flisni as të bëni por prezencë, sepse kishte një përpjekje të qartë dhe ju e dini shumë mirë, për të sabotuar kuorimin e mbledhjes së komitetit drejtues kombëtar.
Nepotizmi e bëri atë që kur të më dalë mua përpara, po më doli dhe unë do përpiqem ta takoj dhe ta qetësoj, të skuqet sepse i kanë thënë si do shkosh ti atje, ty të bëra unë, të bëri shoqja e Agim Neshos, të bëmë ne, prandaj nuk erdhi. A mundet një njeri që s’I kishte vajtur kurrë mendja në jetën e vet që do bëhej ministre, apo jo, jo vetëm të mos vinte, se njeriu dhe mund të mos vijë se ka një hall por të kthente një përgjigje, që nuk vij, të shpikte dhe një gënjeshtër të bardhë apo jo? “Se jam pa qejf, se kam një problem familjar”, ja nepotizmi”, u shpreh Meta.