Edi Rama do të jetë në Athinë më 12 maj. Natyrisht jo për t’u takuar me homologun e tij Kyriakos Mitsotakis, me të cilin raportet janë të ngrira prej një viti për shkak të arrestimit e burgosjes së Fredi Belerit. Lapsi.al mëson se kryeministri do të takohet me emigrantë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi.
Pjesëmarrja e lartë
Mobilizimi i enturazhit të tij partiak e qeveritar është i lartë për të grumbulluar sa më shumë njerëz. Rama nuk do një takim të zakonshëm në tryeza e grupime të vogla siç kemi parë shpesh. I duhet një shfaqje e madhe propagandistike me shpresë se do të lerë pak më shumë gjurmë edhe në Athinën zyrtare.
Lapsi.al mëson se javën e shkuar numri dy i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, kishte thirrur në selinë rozë disa nga kryetarët e bashkive të jugut; Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Përmet, Konispol, Vlorë etj.
Porosia për ta ishte e prerë; një mobilizim si asnjëherë më parë për të mbledhur sa më shumë njerëz në Athinë për takimin me Edi Ramën duke aktivizuar të gjitha lidhjet e tyre në Greqi, me anëtarë të PS-së, shoqata emigrantësh, familjarë, njerëz të biznesit etj. Pritshmëritë e Ramës janë të mbledhin diku tek rreth 3 mijë persona brenda një pallati sporti në Athinë.
Simbolika e 12 majit
Nuk ngjan të jetë krejt e rastësishme data 12 maj për zhvillimin e takimit. Fiks në këtë datë të vitit 2023 u arrestua Fredi Beleri, nën akuzën e blerjes së votave për zgjedhjet lokale.
Shkuarja në Athinë pikërisht në ditën kur bëhet plot 1 vit nga burgosja e kandidatit të opozitës në Himarë dhe synimi i Ramës për një takim përtej atyre të zakonshmëve që kemi parë me diasporën, duket të jetë një lloj karshillëku ndaj Athinës zyrtare.
Kujtojmë që Kyriakos Mitsotakis nuk ka bërë hapa pas nga kërkesa për lejimin e betimit të Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës. Dhe si për të diskredituar akoma më shumë pushtetin e Edi Ramës, Mitsotakis e kandidoi për eurodeputet Fredi Belerin.
Fushatë kundër Mitsotakis në zgjedhjet për Parlamentin Europian?
E thamë dhe duhet përsëritur. Vetëm si i zakonshëm nuk duhet parë takimi i 12 majit me emigrantë në Athinë. Përveçse mbahet në ditën kur mbushet një vit nga burgosja e Fredi Belerit, ai zhvillohet edhe në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian.
Vizita e Kyriakos Mitsotakis në Himarë kishte një simbolikë të fortë për të orientuar votën për Fredi Belerit. Kryeministri i Greqisë i dha një mbështetje të madhe, e cila u reflektua më pas në rezultatin e zgjedhjeve.
Pyetja që shtrohet në këtë rast është kjo: A mos vallë edhe Edi Rama shkon në Athinë në një përpjekje për të influencuar në zgjedhjet për eurodeputetë? Sigurisht kundër partisë Nea Demokracia të homologut të tij Kyriakos Mitsotakis. Kujtojmë që në shtetin fqinj janë shumë emigrantë shqiptarë me të drejtë vote.
Një burim i mirëinformuar i tha Lapsi.al se jo zyrtarisht Edi Rama mund të tentojë të orientojë votën e shqiptarëve drejt partive të opozitës greke, kryesisht PASOK-ut, e cila edhe më herët ka përfshirë në strukturat e saj dhe kandidatë për deputetë e këshilla bashkiakë nga radhët e komunitetit shqiptar.
PASOK po rritet në sondazhe duke synuar të jetë forca kryesore e opozitës dhe partia e dytë më e madhe në Greqi. Edhe në rastin e Fredi Belerit qëndrimi i saj ndaj Tiranës zyrtare nuk ka qenë në linjën e ashpër të partisë në pushtet të Kyriakos Mitsotakis.
Thënë të gjitha këto, Edi Rama kërkon ta përdorë takimin e 12 majit si një tribunë në kryeqytetin grek për t’i çuar mesazhe homologut të tij Kyriakos Mitsotakis. Natyrisht nga pozitat e një lideri të një vendi të vogël si Shqipëria, por me delirin e madh se mund të influencojë përtej oborrit të pushtetit të tij në Tiranë.©LAPSI.AL