Investigimi i RAI 3/ Rama refuzon interpelancën e PD: Të mbarojmë njëherë punë me ata andej!

Kryeministri Edi Rama ka refuzuar interpelancën në Kuvend e kërkuar nga kreu i grupit parlamentar i PD-së, gazment Bardhi, pas publikimit të investigimit të emisionit “Report” në televizionin italian RAI 3, ku e nxirrte lakuriq propagandën e tij për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe sa i përket reformës në drejtësi.

 

Emisioni risolli në vëmendje dhe rastin e gjeneralit të karabinierëve, Fabrizio Lisi, i cili ka mbajtur postin e shefit të Interpolit Italian në Shqipëri, në vitet 2014-2015. Ai u gjend në mes të një skandali të madh, kur u zbulua se një fondacion i drejtuar prej tij në vendin tonë kishte marrë një dhuratë të vyer, rreth 30 mijë metra katrorë tokë në bregun e Vlorës, nga një i dyshuar si narko-trafikant, Artur Shehu. Gjeneral Lisi u pyet për mënyrën se si fondacioni “Luca dhe Marco Eftimiadhi” përfitoi tokën nga Shehu dhe deklaroi se nuk e njihte këtë person, por ia kishte prezantuar Agaçi.

 

Në reagimin e tij, kryeministri Edi Rama, tenton ta paraqesë atë emisionin si një denigrim të Shqipërisë dhe jo të qeverisjes së tij, teksa vazhdon me ofendime dhe fjalë banale si ndaj emisionit italian, po ashtu edhe ndaj kundërshtarëve të tij në Tiranë.

 

Kreu i qeverisë vazhdon t’i quajë shpifje, edhe pse nuk jep asnjë shpjegim apo provë për të vërtetuar të kundërtën, si për akuzat ndaj vëllait të tij Olsi Rama, po ashtu edhe ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi. Rama me gjuhë ofenduese shkruan se plehrat e shitura në Itali si zbulime investigative janë të paketuara nga Tirana.

 

“Të mbarojmë njëherë punë me ata andej dhe të thuhet e gjithë vërteta në italisht, pastaj patjetër do t’u vijë radha edhe këtyre këtej, se kjo histori nuk është fare aq e thjeshtë sa duket dhe shqiptarët padiskutim meritojnë ta dinë të gjithën, sapo të tëra petët e këtij lakrori me plehra të jenë hapur deri në fund. Kështu që xhahilët, çingijet e ahengxhinjtë e tyre, le të vazhdojnë tallavanë e tyre me dollitë e gëzimit për denigrimin e Shqipërisë në atë emision skandaloz dhe le të mbrojnë Italinë e lirinë e RAI-it nga ndërhyrjet e mia.” – shkruan Rama

 

 

Share it :