Tritoli në banesë, KLGJ vendos sot për mbrojtjen e gjyqtarit të Shkodrës

Këshilli i Lartë Gjyqësor pritet të mblidhet sot dhe të marrë një vendim lidhur me mbrojtjen e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj, të cilit iu vendos tritol në banesë.

Një sasi e vogël tritoli u vendos paraditen e 28 prillit në portën e banesës së gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, Tonin Sterkaj.

Në momentin e shpërthimit në banesë ka qenë gjyqtari dhe bashkëshortja e tij. Pista kryesore e hetimeve lidhet me detyrën e Tonin Sterkajt si gjyqtar, megjithatë po hetohen dhe pista të tjera.

Kamerat e sigurisë në banesën e gjyqtarit Sterkaj kanë filmuar autorin të veshur me rroba të errëta dhe me maskë i cili në rrugicë ka hyrë në këmbë dhe pasi afrohet pranë portës vendos lëndën plasëse dhe largohet në këmbë. Është marrë në pyetje gjyqtari Sterkaj por dëshmia e tij nuk ka ndihmuar hetuesit.

Ai ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë çështje madhore në shqyrtim dhe se së fundmi nuk ka marrë kërcënime.

Share it :