Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi tha se drejtorë të tjerë të Erjon Veliajt presin që të strehohen tek shokët e tjerë të 5D. Këlliçi përmendi emrat e Elton Kacidhes, Arben Malokut, Herion Rrapajt, drejtorë të Veliajt, që po hetohen nga SPAK.
“Do jemi këtu për bandën e 5D. Janë një sërë drejtorësh që presin të strehohen tek shokët e tjerë të 5D, si Herion Rrapaj e të tjerë.
Elton Kacidhja, banditi i Zall Herrit Arben Maloku të gjithë e keni vendin aty ku ndodhen drejtorët e tjerë.
Ne nuk tërhiqemi. Është rast unikal në Shqipëri, që një kryetar bashkie tregohet me gisht si përtfitues dhe pronar faktik i inceneratorit të Tiranës”, tha Këlliçi
Kjo është protesta e pestë që mbahet para Bashkisë, që është kthyer tashmë në simbolin e korrupsionit, pas aferës “5D”.
Opozita kërkon dorheqjen Veliajt pasi Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit arrestoi në fund të marsit disa drejtorë dhe ish drejtorë të bashkisë së kryeqytetit, e disa të tjerëve u dha masën detyrim paraqitje, nën akuzat për korrupsion pasiv, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, shkelje të barazisë në tendera, lidhur me aferën e dyshuar të shoqërisë 5D konstruksion.








