Në Ditën Ndërkombëtare të Punës, mësuesit kanë vendosur të protestojnë.
Ata janë organizuar dhe kanë nisur një marshim drejt Ministrisë së Arsimit. Me pankarta dhe parulla të ndryshme, mësuesit kanë zgjedhur pikërisht 1 Majin, ditë që simbolizon më shumë të drejta për punëtorët.
“Nuk ka arsim cilësor pa mësues të mirëpaguar!”. “Nëse po e lexon këtë, falëndero një mësues”. Ishin disa nga pankartat e protestës.
Sindikata e Pavarur e Arsimit kërkon dyfishim të pagave me argumentin që ky profesion të zgjidhet nga maturantët, pasi degët e mësuesisë janë në rrezik.
“Kërkesa kryesore është që qeveria të marrë masa urgjente për të përmirësuar cilësinë e arsimit në vend.
Të dy Sindikatat e Arsimit kemi kërkuar vazhdimisht në komisionin parlamentar të Arsimit në Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, në të gjitha takimet që kemi bërë me ministrinë dhe në të gjitha mediat që pa një buxhet 5 % të GDP-së për Arsimin, nuk mund të ketë arsim cilësor dhe nuk mund të ketë mësues të mirëpaguar.
Nëse nuk do të ketë paga dinjitoze atëherë profesioni i mësuesit nuk do të jetë një profesion i kërkuar nga të rinjtë.
Ju e dini që të gjithë sot ata që shkojnë në degët e mësuesisë sot janë maturantët me mesataret më të ulëta. Përgjithësisht të gjitha kërkesat tona, ato që kanë të bëjnë me ruajtjen e vende të punës së mësuesve dhe me përmirësimin e kushteve të punës janë marrë në konsideratë.
Por, nuk mund të ketë një realizim të plotë të këtyre kërkesave pa pasur një buxhet për arsimin”, u shpreh një nga përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit.








