Del dokumenti/ Media greke: Gjyqtarja Irena Gjoka, e dëbuar për vizë false !

Gazeta greke “Protothema” ka publikuar në versionin e saj print të dy ditëve më parë dokumentet që sipas saj tregojnë se gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme në Shqipëri, Irena Gjoka është dëbuar nga vendi fqinj në vitin 2002 për shkak se kishte përdorur një vizë të falsifikuar.

Pretendimet u hodhën pak kohë më parë nga gazeta tjetër “Ta Nea”, por tashmë “Protothema” ka publikuar edhe dokumentet zyrtare të gjykatës. Sipas gazetës, gjyqtarja që dënoi kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri u përpoq të hynte në Greqi ilegalisht, por u zbulua dhe u dëbua për 10 vite nga zona Shengen.

Në shkrimin me titull: “Në listën e nongratave të Shengen, gjyqtarja që dënoi Belerin” publikohet vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë të Athinës ku një trupë 3-anëtarëshe, në seancën e datës 27 tetor 2004 gjykoi kërkesën e Irena Manekut, për revokim të masë “non grata” kundër shtetit grek për arsye se iu ndalua hyrja në Kakavijë. Gazeta greke sqaron se gjyqtarja shqiptare mbiemrin e vajzërisë e Irena Shpata, por që nga viti 2011 përdor mbiemrin e bashkëshortit të saj të dytë, Irena Gjoka.

May be an image of text
Shkrimi në gazetën “Protothema”

Ndërsa në atë kohë përdorte mbiemrin e bashkëshortit të saj të parë Maneku. Pikërisht me bashkëshortin e saj të parë kishte tentuar të futej në Greqi me datë 24 dhjetor 2002, nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës, duke përdorur një vizë të falsifikuar konsullore, përsa i përket afatit dhe duke u përpjekur të paraqitej si vorio-epirote.

Pas zbulimit të këtij falsifikimi emri i saj u fut në listën e personave “non grata” të sistemit Shengen. Asaj iu ndalua hyrja për 10 vite për arsye sigurie publike dhe të dhënat e saj dhe shenjat e gishtave u depozituan në bazën përkatëse të të dhënave.

Pak muaj më vonë me 13 shkurt 2003, Irena Maneku u përpoq të futej sërish në Greqi nëpërmjet Kakavijës. Iu ndalua hyrja pasi figuronte në listën e “të padëshiruarve” të zonës Shengen dhe iu dha një shkresë përkatëse.

Menjëherë pas kësaj ajo iu drejtua Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Athinë, kundër vendimit të dëbimit. Kërkesa e saj iu dërgua, Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Janinë, e cila rrëzoi kërkesën e Manekut.

May be an image of text
Vendimi i Gjykatës së Janinës që rrëzon kërkesën e Irena Manekut

Në vitin 2019 Irena Maneku duke përdorur mbiemrin e bashkëshortit të saj të dytë, bëri kërkesë me emrin Irena Gjoka, për t’u bërë anëtare e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Për t’u bërë pjesë e kësaj gjykate duhet të plotësohet një formular vetëdeklarimi ku ndër të tjera duhet të rrëfesh nëse ka pasur dëbime, ka pezull ndonjë proces gjyqësor, ka ndalim hyrjeje në një vend të tretë, etj.

Formulari i vetëdeklarimit i gjyqtares Irena Gjoka

Në formularin e saj të vetëdeklarimit, gjyqtarja Irena Gjoka e ka mohuar që ndaj saj të kishte pasur ndonjë dëbim. Për shkak të një fshehjeje të tillë, zyrtarë të tjerë janë shkarkuar dhe disa janë dënuar për akuzën e falsifikimit në të kaluarën. Megjithatë Irena Gjoka ia doli të bëhet gjyqtare e GjKKO, të zgjidhej nënkryetare, por me funksionet e kryetares për shkak të vakancës.

“Duke mbajtur këtë pozicion që nuk do e merrte pa mbështetjen e qeverisë, asaj iu ngarkua gjykimi i çështjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, dënimin e të cilit e kishte paralajmëruar Edi Rama. Ky fakt përbën edhe arsye për ta përjashtuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar. Pra vërtetohet se një prej gjykatësve që dënoi Belerin, varej nga qeveria, e cila sigurisht ishte në dijeni të së shkuarës së saj” – shkruan “Protothema”.

Share it :