Lapsusi i pandërgjegjshëm për SPAK që tradhëtoi Edi Ramën

0
99

Ajo që lexohet nën reshta ndoshta e ka tradhëtuar mesazhin që kryeministri donte të përçonte publikisht. Edi Rama nuk e humbi rastin, as në fjalimin më të gjatë të karrierës së vet, të dilte në mbrojtje të SPAK, të garantonte se nuk e ka kapur atë dhe të vetëmburrej si arkitekt i tij.

Por ajo që bënte përshtypje, në shqyrtimin në filigran që Lapsi.al i bëri tekstit të tij, qe përdorimi i një fjalori ushtarak, në raport me Prokurorinë e Posaçme. Kryeministri u betua ta ketë seriozisht luftën për drejtësinë e re, madje duke mos e mbajtur “as lëkurën tonë larg zjarrit të saj”. Ai i etiketoi mbi tre herë, SPAK-un dhe GJKKO si “gryka zjarri”, të cilave PS u ka hapur rrugën për të goditur. Ai foli disa herë për luftë frontale dhe për furnizimin me municion që partia në pushtet i ka bërë prokurorëve dhe gjykatësve. “PS është e vetmja parti politike që ka dorëzuar një armë me të cilën të gjithë të tjerët janë mbrojtur, ndërsa ne jemi vetë çarmatosur”, u kujdes të theksonte ai.

Në pamje të parë përdorimi i këtij fjalori luftarak duket sikur i shkon për shtat qëndrimit të përhershëm të kryeministrit për drejtësinë e re, si një aleate ndaj betejës titanike kundër korrupsionit.

Por, pasi ke vënë në dukje këtë të lindin natyrshëm disa pyetje. A përshkruhet një aleat si dikush që të ka vënë në grykën e zjarrit? A flitet për një bashkë udhëtar në mision, si për dikë që të ka shenjëstruar lëkurën? A mund të frikësohesh se ndihesh i çarmatosur përballë tij? A tutesh nga furnizimi me mundicion që i ke bërë atij? A e percepton dot atë si dikë të prirur për të të ekzekutuar?

Të gjitha këto pikpyetje të bëjnë të mendosh se Edi Ramës të tjera gjëra i lexonte goja dhe në të tjera skuta ankthi e drejtonte nënndërgjegjja. E para, përshkruante një aleat, ndërsa e dyta i frikësohej një armiku të pakontrollueshm.

Ky dyzim është shumë domethënës. Jo për të vërtetuar se Edi Rama nuk e menaxhon aktualisht SPAK-un, por për një gjë tjetër. Për të thënë se ndryshe nga ç’thotë, ai as nuk e ka ideuar dhe as nuk e ka dashur atë. Mjafton ky dyzim për të kuptuar se, ndryshe nga sa pretendon, nuk ka qenë ai që i ka kërkuar perendimorëve në Berlin, Bruksel dhe Uashington një reformë në drejtësi kaq radikale. Po të qe kështu, po të kish qenë vetë nismëtari, ai do ta përshkruante SPAK-un si një aleat paqësor dhe miqësor dhe jo si një grykë zjarri që e shenjestron mbi lëkurë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here