Nga Erion Dasho:
1. Lideri i opozitës ndodhet prej muajsh në arrest shtëpie, një lëvizje që qartazi synon shkatërrimin e karrierës së tij politike nëpërmjet humbjes së mandatit të deputetit. Masa e kërkuar nga SPAK është jo-proporcionale si me “krimin” për të cilin akuzohet Berisha, ashtu edhe me “rrezikun” që do të vinte nga lënia e tij në liri. Kjo masë shkel të drejtën e tij si individ, por në radhë të parë shkel të drejtën e tij si drejtues i opozitës. Praktikisht, kjo ndërhyrje e drejtësisë në politikë dëmton në mënyrë të pariparueshme dhe shkallmon rolin e opozitës.
2.
Paralelisht, lideri i partisë së dytë opozitare ka muaj të tërë nën një presion të tmerrshëm psikologjik, ku çdo natë analistë të paguar të pushtetit paralajmërojnë arrestimin e tij dhe të bashkëshortes. Ditët e fundit është përmendur edhe termi “letërporosi” nga SHBA-të dhe Britania e Madhe. Për koincidencë, edhe në rastin e Berishës, arrestimi u parapri nga shpallja “non grata” nga SHBA-të dhe Britania e Madhe. Paradoksalisht kjo masë e natyrës politike dhe diplomatike u interpretua dhe vazhdon të interpretohet si “provë” nga politika shqiptare, media, madje edhe sistemi i drejtësisë në Shqipëri.
Letërporositë dhe shpalljet non-grata, të pasuara nga arrestime janë shembulli i asaj që më tepër se “drejtësi e re”, mund të quhet drejtësi e telekomanduar. Butonat e pultit mund të shtypen realisht nga matanë oqeanit, por pasojat ndjehen dhe veprojnë në Shqipëri.
Konkretisht, Borati, anija e të cilit po fut ujë nga të gjithë anët, ka tre vjet që e përdor “non gratën” si argument për të ndërprerë marrëdhëniet normale me opozitën dhe për të zhvendosur vëmendjen nga aferat e tmerrshme korruptive që kanë karakterizuar qeverisjen e vet.
Me nisjen e reformës në drejtësi, shqiptarët shpresuan se hallet e tyre me sistemin më të korruptuar në vend do të futeshin në rrugën e zgjidhjes; radhët dhjetëra vjeçare do të përshpejtoheshin, do të jepej drejtësi pa marrë rryshfet, gangrena e pronave dhe e kompensimit të të shpronësuarve do të shërohej, do të krijohej një terren i paanshëm ku qytetari do të mbrohej nga arbitrariteti i shtetit, etj., etj.
Fakti tregon se, për të vjelë këto fryte të reformës, shqiptarëve do t’u duhet të presin gjatë. Ndërkohë, “dhurata” e momentit nga reforma në drejtësi është një pushtet i tretë i kthyer në aktor aktiv të prishjes së balancës politike në vend.
Drejtësia e telekomanduar, herë hapur me dekrete “non grata” dhe letërporosi, herë fshehurazi me thirje në raport të krerëve të drejtësisë, ka prodhuar një efekt të dyfishtë: nga njëra anë, po i ofron retush dhe makiazh të vdekurit politik me emrat Borat dhe rilindje, duke bërë gjasme sikur lufton korrupsionin në qeveri, ndërkohë që, nga ana tjetër, godet krerët më të lartë të opozitës dhe i shtron qeverisë aktuale tapetin drejt çimentimit afatgjatë në pushtet.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për këtë “drejtësi”!
Pushteti gjyqësor është një nga tre shtyllat e shtetit dhe ka rëndësi jetike për çdo vend, por kjo nuk krahasohet kurrsesi me rëndësinë që ka një sistem politik demokratik, i balancuar dhe funksional. Nëse sistemi gjyqësor kontribuon që shqiptarët të vazhdojnë të qeverisen nga një sistem kleptokratik dhe diktatorial, atëherë reforma në drejtësi mund të quhet jo vetëm e dështuar, por, në radhë të parë, e rrezikshme!
E përsëris! Shqiptarët nuk kanë nevojë për këtë “drejtësi”!
As edhe kur ajo vjen si rezultat i ndihmës nga miqtë dhe aleatët tanë tradicionalë. Këtyre të fundit duhet t’u kujtohet me forcë se problemet e asnjë vendi nuk janë zgjidhur ndonjëherë me drejtësi dhe sistem politik të telekomanduar. Praktika botërore shtetformuese flet qartë se sistemet politiko-shoqërore nuk janë zogj inkubatori; ato zhvillohen dhe maturohen gradualisht dhe në mënyrë të qëndrueshme. Kjo kërkon përkujdesje, por jo telekomandim.
Shembulli dhe mbështetja nga miqtë dhe aleatët janë të domosdoshëm për demokracinë shqiptare, por kur ato kalojnë masën sjellin më shumë dëm se sa dobi. Sot Shqipëria ka nevojë për një drejtësi të pavarur, qoftë edhe nga ata të cilët kontribuan në fillesat e këtij procesi kaq jetik.
Sikundër duhet të jetë e pavarur nga politika shqiptare, drejtësia jonë duhet të pavarësohet edhe nga politika amerikane, britanike apo europiane!
Drejtësia ka nevojë të lihet e lirë!
Le të na e bëjnë këtë nder miqtë dhe aleatët tanë të mëdhenj dhe do t’u jemi përjetësisht mirënjohës…