Bashkëmoshatarët dhe shokët e klasës të Ergesës dhe Grejsit në shkollën publike “Ndre Mjeda” në Shkodër, kanë zgjedhur lulet në vend të librave, në shenjë homazhesh për dy vajzat e ndjera.
Fëmijët u panë t’i drejtoheshin shkollës me lule në duar të cilat janë vendosur në bankat e dy vajzave, 9 dhe 8 vjeçe.
Prindërit kanë treguar për mediat se e kanë pasur të vështirë t’iu shpjegojnë fëmijëve se çfarë kishte ndodhur me dy vogëlushet. Një prej tyre tha se ngjarja është shumë e dhimbshme teksa shprehu ngushëllime për familjarët.
“Vajza i ka pasur në klasë të dyja vajzat. Ishte shumë e vështirë, vajzës i thashë keni humbur dy shoqe sepse mami i la në Shirokë. Shumë e dhimbshme, ngushëllime familjarëve, nuk kam fjalë. Vajza është e vogël për t’i kuptuar këto gjëra, u desh t’i anashkaloja disa gjëra”, u shpreh një nga prindërit.
“Është një fatkeqësi, s’kam fjalë. Gjëra të tilla mos me ndodh kurrë. Shumë e dhimbshme, ngushëllime familjarëve”, shprehet një tjetër.
Almën dhe fëmijët nuk i kanë parë kurrë të shqetësuar apo të stresuar. Kështu ka thënë një shoqe dhe njëherazi kushërirë e 39-vjeçares.
“Kemi qenë shoqe, si tip kushërirash bashkë, por çfarë të bëjmë, deri këtu e paska pasur të shkruar. Nuk e di çfarë të them është një ngjarje shumë e rëndë. Vajzat i kemi pasur në një klasë, vajzës time nuk ia kam shpjeguar dot, u kam thënë që nuk i ke më shoqet në klasë. Kemi shkuar shumë mirë, kam pasur shumë marrëdhënie të mira, nuk e kam parë kurrë të shqetësuar apo të stresuar. Fëmijët po ashtu nuk kanë pasur stres, nuk i kam parë të qajnë në shkollë, kanë qenë shumë mirë”, ka thënë ajo.








