Busti është rrëzuar, por Rama kthen pas tre dekadash kultin e individit

Kush ka menduar se kulti i individit ra bashkë me diktaturën shqiptare në 20 shkurt 1991, kur u rrëzua busti i Enverit, me siguri ka mbërritur në përfundime të nxituara.

Në një përpjekje të dëshpëruar për të justifikuar korrupsionin galopant në qeverisjen e tij, Edi Rama ka restauruar konceptin e rolit të individit në transformimin e gjërave. Edhe ish udhëheqësi komunist, së paku në fjalorin publik, vinte institucionin e partisë përpara vetes, kurse autokrati aktual, ka hedhur së fundi tezën e njeriut që qëndron mbi institucionin.

 

“Ju e dini shumë mirë sa varet qasja, performanca, rezultati i një institucioni nga drejtimi që i bën personi që e kryeson”, predikoi ai të mërkurën në mbledhjen e jashtëzakonshme, ku mbajti një fjalim mbi 2 orësh përpara ministrave dhe deputetëve socialistë.

Në përpjekjen alibike të kryeministrit që Lapsi.al e ka kaluar në sitë, kishte dy absurditete monumentale.

Së pari, tentativa për të justifikuar grabitjen sistemore të këtyre 11 viteve qeverisjeje të rilindjes, me korrupsionin si një ves i trashëguar në genet shqiptare që prej pushtimit otoman, të cilin Rama dhe ekipi i tij po mundohen ta luftojnë sot.

E dyta ishte përpjekja për të ringjallur rolin e individit në një sprovë për të argumentuar se në demokracitë në zhvillim, liderët politikë nuk japin dorëheqjen edhe kur i kapen si hajdutë, një pjesë e mirë e bashkëpunëtorëve të tyre.

Kryeministri u rrek të arsyetojë se ka disa raste – jo gjithmonë u kujdes të shtonte ai-, kur në demokracitë perendimore liderët japin dorëheqjen si reagim moral, kur një pjesë e ekipit të tyre vërtetohen si grabitës (shiko në linkun këtu nga minuta 01 05 00 deri në 01 08 00). Por në demokracitë ende të pakonsoliduara dhe në zhvillim, si kjo e Shqipërisë, ekziston rreziku që nëse lideri merr përgjegjësinë morale për vartësit që i kapen nga drejtësia, puna e institucionit që varet shumë prej të parit, mund të përmbyset, pretendoi kryeministri.

“Pikërisht sepse roli i individit kane ende peshë shumë të rëndesishme në këtë përpjekje, ekziston rreziku i marrjes së përgjegjësisë morale”, tha Edi Rama në ligjëratë të drejtë (shiko videon lart).

Andi Bushati: Iluzioni i një brezi që besoi se demokracia nuk vidhet dot më 

Pra edhe nëse vjedhja plas sheshit si këtu, ai e quajti veten si garancinë unike për të shpëtuar vendin nga korrupsioni.

Tani, pas këtij retushimi të konceptit për kultin e individit në shoqërinë tonë, mbetet të vërtetohet edhe parashikimi që bënte gazeta britanike “The Guardian” një një shkrim për kullat e Tiranës. Aty gazetari parathoshte se gradaçiela që Rama i ka porositur arkitektit Vini Maas, që po merr formë në sheshin qëndror në krah të 15-katshit ku skicohet portreti i Skënderbeut, fsheh në fakt konturet e fytyrës së autokratit të ri.

Share it :