Konflikti i armatosur mes dy grupimeve simpatizantësh partiakë në Elbasanin e para zgjedhjeve të vitit 2021, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ka nisur nga pozicioni ku ishte viktima. Ndërsa Arbër Paplekaj, ish-efektivi i RENEA-s, i dënuar me 22 vjet burg nga Gjykata e Elbasanit për vrasjen, ka shquar persona të armatosur përballë para se të hapte zjarr. Këto ishin dy nga konkluzionet e grupit të ekspertëve, që rindërtuan skenën e krimit për llogari të gjykimit në Apel të Paplekajt.
Përfundimet e ekspertëve u prezantuan në seancën e së martës, pas gati 1 muaji kohë të dhënë nga gjykata për plotësimin e aktit të ekspertimit edhe me kqyrjen e pamjeve filmike të ngjarjes. Sipas ekspertëve, viktima Pjerin Xhuvani ka mbërritur në vendngjarje i shoqëruar nga disa persona.
“Nga analizimi i pamjeve filmike, thanë ekspertët, rezulton se dy grupimet janë shtyrë me njëri-tjetrin, ndërsa në vendngjarje kishte edhe efektivë të policisë”, thuhet sipas ekspertëve.
Për ekspertët konflikti i armatosur ka nisur në vendin ku ndodhej Xhuvani.
“Duke parë reagimin e të pandehurit, që tërhiqet pas në mënyrë instiktive, besojmë se ka identifikuar disa qitësa përballë”, thuhej në akt-ekspertim.
Ekspertë thanë se nga gëzhojat në vendngjarje dhe praninë e mbetjeve të barutit në veshjet e viktimës, por jo në duart e tij, tregon se Xhuvani nuk ka qenë i armatosur, por ka pasur në krah një qitës, jo më larg se një metër. Të pyetur nga i pandehuri Paplekaj, nëse viktima ka qenë statik apo në lëvizje në momentin kur është qëlluar, ekspertët thanë se në atë moment Xhuvani ka qenë në lëvizje në drejtim përpara.
Pasi administroi akt-ekspertimin Gjykata e Apeli mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe ftoi palët në konkluzione përfundimtare për në seancën e 24 majit.