Punonjësi i policisë, Jonuz Koçi, është pezulluar nga detyra pas denoncimit se shantazhonte një grua dhe i kishte marrë para për të mos i publikuar foto nudo.
Siç njofton policia, ndaj Koçit ka nisur edhe një hetim disiplinor dhe penal për shkelje të rëndë
“Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Fiks-Fare”, në Top Channel, ku një punonjës policie kishte shantazhuar një shtetase dhe i kishte marrë një shumë parash për të mos i publikuar fotot, ju bëjmë me dije se:
Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në zbatim të Nenit 222, pika 8 të Rregullores së Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, Inspektor J.K, me detyrë trup shërbimi për ruajtjen dhe sigurimin e objektit të Policisë Shkencore dhe ndaj tij ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë.
Ndërkohë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur menjëherë hetimin penal ndaj punonjësit të Policisë”, njofton policia.
Qytetarja denoncoi në Fiks Fare se policin dhe të shoqen i njohu kur punonte në treg dhe ata po kërkonin për qiraxhinj. Kështu në apartamentet që ata jepnin më qira çoi njerëz të saj.
Denoncuesja qiraxhinjtë i kishte të afërm dhe shkonte shpesh i vizitonte, pasi ata e morën vesh këtë filluan ta shantazhonin duke i thënë se kemi video të tuat që vjen në banesën, por më kryesorja se ata kishin foto nudo të saj duke e shantazhuar.
Polici bashkë me të shoqen për mospublikimin e tyre i kërkonin denoncueses 3 milion lekë të vjetra. Në këto kushte denoncuesja pohon se ua dha paratë që kërkuan, por që më vonë mësoi nga rrethi i saj shoqëror se polici u kishte treguar miqve të tij se dispononte foto të saj nudo, madje u kishte treguar që e kishte shantazhuar dhe se ishte paguar.









