Në Tiranë Qendra studimore Open Data Albania bëri të ditur për Zërin e Amerikës se ka gjetur disa shifra ekonomike të pasakta lidhur me tenderat dhe bizneset në fjalimin e fundit të kryeministrit Edi Rama para grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar të Partisë Socialiste.
Drejtuesja e kësaj Qendre, Aranita Brahaj, thotë se disa prej të dhënave janë në të vërtetë dukshëm më të ulëta, se ato që citoi zoti Rama.
Ajo shtoi se verifikimi i fakteve u bazua në treguesit e Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe mbi të dhënat shumëvjeçare, që Open Data Albania ka regjistruar në fushën e tenderave dhe prokurimeve.
Ndërsa fliste të martën para deputetëve dhe ministrave socialistë, kryeministri Edi Rama u përpoq të hidhte poshtë me disa shifra mbi tenderat dhe prokurimet publike kritikat, perceptimin dhe dyshimet për korrupsion në këtë fushë, duke bërë krahasime me të dhëna nga viti 2012, përpara 3 mandateve të tij në qeverisje.
Ai tha se në vitet 2009-2012, që kur filloi prokurimi elektronik dhe mbahen të dhëna, “numri mesatar i operatorëve ekonomikë që fitonin tendera publikë ishte rreth 1000. Në 10 vitet e fundit, ky numër është 2500 mesatarisht në vit, dy herë më i lartë, dy herë e gjysmë më i lartë”.
Por drejtuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj, thotë për Zërin e Amerikës se nga verifikimi i të dhënave për disa ditë nga kjo qendër studimore, rezultoi që disa të dhëna nuk qëndrojnë, si dhe interpretimi i tyre nuk ka bazë, siç është shifra për 2 mijë e 500 operatorë apo kontraktorë mesatarisht çdo vit, gjë që nuk rezulton e tillë.
Nga verifikimi i qendrës studimore doli se gjatë vitit 2023 janë vetëm 1 mijë e 374 biznese, subjekte, ose NIPT-e, të cilët kanë fituar në gara të hapura apo të mbajtura publikisht gjët atij vit, me vlerë mbi 800 mijë lekë, referuar të dhënave të hapura të vet sistemit shtetëror, Agjencisë së Prokurimeve Publike.
Zonja Brahaj thotë se po shënohet si një biznes i ri çdo operator ekonomik, që krijohet nga bashkimi i dy operatorëve ose dy bizneseve të mëhershme.
“Biznesi A, Biznesi B, e ndoshta ka edhe një C, kanë qenë pjesë e listës së bizneseve, që fitojnë tendera prej vitesh. Në një çast ato krijojnë një bashkim operatorësh dhe fitojnë një kontratë të caktuar. Në këtë rast kryeministrit i listohet si një biznes i ri, por në fakt kemi të njëjtët klientë, që kanë fituar tendera më parë dhe vijnë në garë dhe marrin përsëri tendera. Nuk kemi biznese të reja. NIPT-et, po e theksoj edhe një herë, janë 1 mijë e 374”, tha zonja Brahaj.
Drejtuesja e Open Data Albania, thotë se e pazakonshme është edhe gjetja se krahasuar me vitin 2012, në vitin 2023 vlera e fondit limit të tenderave është rritur me 2.08 herë, ndërkohë që numri i NIPT-eve dhe bizneseve që janë angazhuar me një kontratë përmes prokurimit publik është rritur me 57 për qind, ose vetën 1.6 herë.
Në vitin 2012 ishin 876 biznese, ndërsa janë 1374 biznese në vitin 2023, pra nuk ka një rritje 2 herë madje 2.5 herë, siç e prezantoi kryeministri Rama, tha zonja Brahaj.
Ajo e cilësoi si të pasaktë edhe shifrën tjetër prej 6 mijë e 61 kompani të reja fituese, që kryeministri Rama përmendi në fjalim.
“Jo vetëm se u rrit ekonomia dhe u zgjerua biznesi, por dhe pse u ul korrupsioni dhe u zgjeruan rrugët e konkurrencës, në këto 10 vite janë shtuar 6061 kompani të reja fituese tenderash me fonde publike, të reja”, tha zoti Rama në fjalim.
Por sipas verifikimit të fakteve nga Open Data Albania as kjo shifër nuk rezulton e saktë. Bazuar në të dhënat që kjo qendër ka mbledhur nga viti 2012 janë vetëm 4 mijë e 280 NIPT-e, të cilët janë shpallur fitues, ose kanë fituar statusin e një kontraktori publik.
Madje edhe mes 4 mijë e 280 bizneseve nuk janë vetëm fituesit e kontratave publike, por këtu janë përfshirë edhe kompani PPP, kompani fituese përmes programeve si Shqipëria 1 Euro, përmes programeve të caktuara apo privatizime dhe ankande, të cilat shpesh herë nuk janë procedurë e rregullt gare, por janë procedura të cilat bëhen edhe me ligje të veçanta.
“Edhe këtu befasohemi me këtë statistikë, me këtë evidencë, për të cilën mendoj që kryeministrit i është raportuar jo në mënyrën e saktë dhe të duhur. Nuk kemi biznese të shtuara. Nëse ka operatorë të krijuar nga bashkime operatorësh, e garantojmë që janë të njëjtat biznese, që vazhdojnë të fitojnë tendera”, thotë zonja Brahaj.
Kryeministri Rama përmendi në fjalën e tij para deputetëve dhe ministrave socialistë edhe një kursim fondesh prej 960 milionë euro, për shkak të konkurrencës reale në tendera, ndërsa theksoi se nuk janë 5 veta, por janë 25 mijë subjekte që kanë fituar tendera publikë në këto 10 vjet.
“Si rezultat i konkurrencës, meqë ka një tjetër mit të madh se përveç 5 vetave që i marrin të gjitha fondet e shtetit dhe i ndajnë me hajdutët e Rilindjes, tenderat u jepen këtyre të 5-ve gjithmonë sa është fondi limit. Në fakt, jo vetëm nuk janë 5, po janë 25 mijë subjekte që kanë fituar tendera publikë në këto 10 vjet, por shuma e kursyer nga fakti kokëfortë i garës reale është 96 miliard e 603 milion e 818 mijë e 542 lekë, e thënë ndryshe 960 milion euro kursime për shtetin”, tha zoti Rama në fjalim.
Nga ana tjetër, zonja Brahaj e qendrës Open Data Albania, thotë se nuk dihet se me çfarë metodologjie u arrit në konstatimin se janë kursyer fonde publike në masën 960 milionë euro, por përqëndrimi i parave në pak duar është i dukshëm, sidomos në rastet e procedurave të limituara, kur një thirren operatorë me kritere të ngjashme në një tryezë me autoritetin prokurues dhe fati i parave publike bëhet aty, pa sistemin elektronik publik.
“Nëse kemi 10 kompani që fitojnë 20 për qind të vlerës kontraktore përmes tenderimeve, atëherë ky fakt flet vet. A kemi 5, 10 apo 25 kompani që fitojnë gjithmonë tendera? Po, kemi. Sa herë që ne bëjmë listimet vjetore për gjithë kontraktorët më të mëdhenj, na rezulton që 10 kontraktorët më të mëdhenj fitojnë 20-25 për qind të vlerës së tenderave. Kemi programin e rindërtimit, që është 80 miliardë lekë në 4 vite, dhe të gjithë kompanitë që kanë fituar këto tendera janë kompanitë që kanë pjesën më të madhe, 30-40 për qind të gjithë vlerës së dhënë. Nga ana tjetër nuk mendoj se kemi ndonjë eficencë, ndërkohë që kemi një numër shumë të theksuar procedurash të limituara”, thotë zonja Brahaj për Zërin e Amerikës.
Ajo kujtoi fatin e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara, e cila kreu tenderat e gjithë ministrive dhe dështoi brenda dy vitesh, ndërsa zyrtarët e saj u bënë pjesë e hetimeve për dëm të madh ekonomik gjatë një tenderi.
Studiuesit theksuan se nuk ka një përmirësim të situatës sa i takon ndarjes së tenderave në Shqipëri, madje nuk ka një sistem të vlerësimit të konfliktit të interesit dhe të nepotizmit, të cilat kanë krijuar një sistem korruptiv, ku drejtorë publikë bëjnë edhe biznesmenin dhe paratë publike i çojnë pikërisht tek kompania e tyre.
Ata përmendën edhe raportin vjetor të SPAK-ut, ku flitet hapur për tendera fiktivë dhe për kompani dhe biznese, të cilat fitojnë tendra, por që nuk janë asgjë tjetër, veçse biznese që kanë lidhje me njerëz në pushtet. VOA